Mbretëria e Bashkuar dhe Franca janë zotuar të rrisin bashkëpunimin për të trajtuar kalimet e emigrantëve në Kanalin Anglez, tha Downing Street. Rishi Sunak mbajti telefonatën e tij të parë, që kur u bë kryeministër, me Presidentin Emmanuel Macron të premten.
Sipas BBC, të dy shprehën një angazhim për të thelluar punën e tyre për të penguar udhëtimet vdekjeprurëse dhe u zotuan për një “paketë ambicioze masash” që do të shpallet këtë vjeshtë.
Emigracioni i paligjshëm nga Franca drejt Britanisë nëpërmjet kanalit, kryesisht i ndjekur nga shqiptarët, është kthyer në një problem. Vetëm ditën e djeshme deputetët britanikë kanë kritikuar ashpër ministrat e qeverisë për menaxhimin e situatë së emigrantëve shqiptarë që kërkojnë azil në vend pasi për shkak të procedurës së vonuar taksapaguesve britanik i kushton 7 miliard paund në ditë mbajtja e azilkërkuesve.
Tashmë ka pasur premtime për të thelluar bashkëpunimin në fillim të tetorit, pasi kryeministrja e atëhershme Liz Truss u takua me zotin Macron në Pragë në fillim të këtij muaji. Por Sunak thuhet se ka theksuar rëndësinë që të dy kombet ta bëjnë rrugën e Kanalit krejtësisht të papërdorshme për trafikantët.
Pas telefonatës së tyre, Nr 10 theksoi fushat e bashkëpunimit, duke përfshirë ndryshimin e klimës, mbrojtjen, luftën në Ukrainë dhe energjinë. Sipas Downing Street, Sunak theksoi rëndësinë që i jep marrëdhënieve të Mbretërisë së Bashkuar me Francën, fqinjin dhe aleatin e tyre.