Gjykata Themelore e Prishtinës ua ka caktuar nga një muaj paraburgim tre të dyshuarve për sulmin ndaj gazetarit Valon Syla.
Ata dyshohen për veprën penale ‘’Nxitja e përçarjes dhe urrejtjes’’.
“Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit në çështjen penale kundër të pandehurve L.D, K.H dhe O.H për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale Nxitja e përqarjes dhe mos durimit nga neni 141 paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 dhe neni 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Gjyqtari i Procedurës Paraprake kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve L.D, K.H dhe O.H, e ka aprovuar si të bazuar dhe të njëjtëve iu ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji, për secilin”, thuhet në njoftim.
Gazetari Valon Syla rreth mesnatës u sulmua nga disa persona në lagjen Bregu i Diellit në Prishtinë.
Ai pësoi lëndime në kokë dhe pas trajtimit mjekësor, nga QKUK-ja tha se sulmuesit ishin “tre islamikë fanatikë”.
Syla paraprakisht ishte në emisionin Pressing në T7, ku është analist. Temë diskutimi ishte debati që ka shkaktuar nisja e gjykimit të ish-krerëve të UÇK-së në Gjykatën Speciale Hagë.
Sulmin e dënoi edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, por edhe organizata më e madhe e gazetarëve në Europë.