Sulmi ndaj News24/ Reagon Ilir Meta: Akt kriminal i regjimit të “Ramaduros”

Ditën e sotme, policia rrethoi godinën e televizionit News24, duke ndaluar hyrjen e gazetarëve, pasi godina rezulton pronë shtetërore dhe do të përdoret për prodhimin e armëve.

Lidhur me këtë ngjarje, ka reaguar nga qelia Ilir Meta, kreu i Partisë së Lirisë, i cili e quan “një akt kriminal të regjimit të “Ramaduros”.

“Akti i sotëm kriminal ndaj fjalës së lirë dhe ndërprerja e dhunshme e sinjalit të televizionit “News 24” është një tjetër veprim tepër i rrezikshëm i regjimit represiv të “Ramaduros”, armik i egër i lirive, të drejtave dhe dinjitetit njerëzor të shqiptarëve.

Duke dënuar me vendosmëri këtë akt terrori të paralajmëruar ndaj medias së pavarur shpreh solidaritetin tim të plotë dhe të vendosur me gazetarët, të cilët sot janë të rrezikuar më shumë se kurrë për vendin e tyre të punës dhe për lirinë profesionale të ushtrimit me ndershmëri të misionit të tyre për informim të vërtetë dhe të paanshëm.

U bëj thirrje organizatave dhe institucioneve ndërkombëtare të mbrojtjes së lirisë së shprehjes të reagojnë fuqimisht për të dënuar këtë akt shumë të rëndë që na largon gjithmonë e më shumë nga Europa për ta kthyer vendin dekada pas në kohërat e errëta të diktatures totalitare dhe të izolimit të eger nga bota e qytetëruar”, shkruan Meta.


Shtuar 9.08.2025 15:21