Sulmi ndaj ambasadës shqiptare në Kiev, Ministria e Jashtme thërret në takim ambasadorin rus

Ministria e Jashtme e Shqipërisë ka thirrur ambasadorin rus, Alexey Anatolyevich, për të diskutuar mbi sulmin ndaj Ambasadës Shqiptare në Kiev, i cili ndodhi gjatë një serie sulmesh ajrore ruse.

Ngjarja u shënua mëngjesin e kësaj të premteje. Pre e këtyre sulmeve ishte edhe fasada e jashtme dhe disa hapësira brenda godinës së Ambasadës së Republikës së Shqipërisë si dhe ambasadave të pesë vendeve të tjera.

Në reagimin e saj, Ministria e Jashtme shqiptare e konsideroi këtë akt si një sulm të drejtpërdrejtë ndaj themeleve të demokracisë ndërkombëtare. Ajo theksoi gjithashtu se ky sulm ka vënë në rrezik jetën e personelit diplomatik dhe ka shkaktuar dëme të konsiderueshme në Ambasadën Shqiptare në Kiev, përfshirë dëmtime të fasadës së jashtme dhe hapësirave të brendshme të godinës.

Në kuadër të këtyre sulmeve ajrore, përveç ambasadës shqiptare, janë dëmtuar edhe misionet diplomatike të pesë vendeve të tjera, duke përfshirë Argentinen, Maqedoninë, Palestinën, Portugalinë dhe Malin e Zi. Të gjitha këto ambasada janë të vendosura në të njëjtën ndërtesë, e cila pësoi dëme të mëdha nga sulmet raketore ruse.


Shtuar 20.12.2024 20:39

Tags: ,