Sulmi kibernetik nga Irani, Beçi: Akt i pastër terrorist

Ish-prokuror i Antiterrorit, Eugen Beçi e cilësoi sulmin kibernetik ndaj Shqipërisë si akt të pastër terrorist.

I ftuar në emisionin “Log.”, në Abc me gazetarin Endri Xhafo, Beçi u shpreh se ky është një krim që dënohet me jo më pak se 15 vite burg.

Ai theksoi se është e rëndësishme të përcaktohet rëndësia e hetimit dhe mënyra se si do hetohet.

“Kemi mbi tre sulme të dështuara, të mbetura në tentativë. Shumë shtetas kanë pasur marrëdhënie dhe lidhje me agjentura dhe me shërbime sekrete të këtij shteti. Nga vitet 2016 deri në 2019 janë zmbrapsur disa sulme fizike terroriste, ne shohim që pasi dështuan në këto sulme e gjithë veprimtaria terroriste e gardës revolucionare është përshtatur për të bërë një sulm të mirëfilltë kibernetik.

Ky është një sulm i pastër terrorist. Dënimi i krimit është jo më pak se 15 vjet. Akti terrorist me zhvillimet e fundit përfshin edhe këtë pjesën e sulmit kibernetik. Në këtë formë arrijmë në konkluzionin që të eliminosh sa më shumë pasoja duhet të bësh një kualifikim për të përcaktuar se kush është vepra penale. Për t’i dhënë seriozitet gjithë hetimit duhet të përcaktohet rëndësia e hetimit, mënyra se si do hetohet dhe vepra penale. Pastaj le të dalim dhe te Këshilli i Sigurimit. Nuk kemi të bëjmë me ndërhyrje në rrjetin kompjuterik, kemi të bëjmë me akt terrorist.

Sulmi i parë kibernetik ndaj Shqipërisë ndodhi në korrik të këtij viti, ndaj portaleve shtetërore të shërbimeve online. Si rezultat i hetimeve që u bë nga ekspertët shqiptarë, por edhe nga vendet aleate, u dol në përfundimin se ishte Irani që financoi sulmin. Nuk vonoi shumë dhe brenda 2 muajsh ndodhi sulmi i dytë. Më 10 shtator, u sulmua sistemi TIMS duke paralizuar për më shumë se 24 orë shërbimin në pikat e kalimit kufitar.

Prokuroria bën me dije se sulmi ndaj sistemit TIMS që menaxhohet nga ministria e Brendshme dhe sulmi kibernetik ndaj institucionit shtetëror të AKSHI-it po hetohen bashkë. Kjo pasi dy veprimet janë kryer me të njëjtën tipologji dhe sulmi kibernetik ka ardhur nga i njëjti burim”, tha Beci.