Numri i të vdekurve ka shkuar në 87, pas sulmit kamikaz në një xhami, që kishte në shënjestër policët në provincën pakistaneze të Peshawarit.
Xhamia është brenda një zone të selisë së policisë së sigurisë së lartë dhe një hetim është duke u zhvilluar për mënyrën se si sulmuesi hyri brenda.
Kryeministri i Pakistanit dhe liderë të tjerë e kanë dënuar sulmin, ndërkohë talebanët pakistanezë kanë mohuar përfshirjen pas një pretendimi fillestar nga një prej komandantëve të tyre.
“Terroristët duan të krijojnë frikë duke vënë në shënjestër ata që kryejnë detyrën e mbrojtjes së Pakistanit”, tha kryeministri Shehbaz Sharif. Ai shpalli ditë zie kombëtare.
Një zëdhënës i spitalit konfirmoi se më shumë se 100 persona mbetën të plagosur. Në mesin e viktimave janë dhe 20 policë. Midis 300 dhe 400 oficerë policie kishin qenë në zonë në momentin e sulmit, tha më herët shefi i policisë së Peshawarit Muhammad Ijaz Khan për mediat lokale.
Xhamia është në një nga zonat më të kontrolluara të qytetit, e cila përfshin selinë e policisë dhe zyrat e inteligjencës dhe kundër terrorizmit.
Sharif tha se ata që qëndronin pas sulmit nuk kishin “asnjë lidhje me Islamin”. Ai shtoi: “I gjithë kombi po qëndron i bashkuar kundër kërcënimit të terrorizmit.”/albeu.com