Ekipet ukrainase të riparimit vazhduan përpjekjet për të kthyer energjinë elektrike në miliona shtëpi më 25 nëntor pas sulmeve shkatërruese me raketa ruse këtë javë në objektet e infrastrukturës, duke përfshirë burimet e ujit dhe ngrohjes.
Presidenti Volodymyr Zelenskiy tha se më shumë se 6 milionë familje mbeten në errësirë.
“Që nga kjo mbrëmje, ndërprerjet e energjisë vazhdojnë në shumicën e rajoneve dhe në Kiev”, tha ai.
Por ai tha se ekipet e riparimit kishin arritur të përgjysmojnë numrin e vendeve të prekura që nga 23 nëntori, një nga netët më shkatërruese të bombardimeve ruse të infrastrukturës elektrike në pushtimin nëntëmujor.
Përveç kryeqytetit, Zelenskiy tha se Odesa në Detin e Zi, Lviv në Ukrainën perëndimore, Vinnytsia dhe Dnipropetrovsk në Ukrainën qendrore janë disa nga zonat më të goditura.
Kompania kombëtare e rrjetit të energjisë, Ukrenerho, tha përmes Telegramit më 25 nëntor se deri në orën 19:00. rreth 30 për qind e furnizimeve me energji elektrike të vendit ishin ende jashtë funksionit.
Ukrenerho tha se po vazhdonte një “restaurim i ndarë në faza” dhe se ekipet e riparimit “po punojnë gjatë gjithë kohës”, por u bëri thirrje qytetarëve që të kursejnë energjinë.
Pushtimi rus i Ukrainës nisi në muajin shkurt të këtij viti. Javëve të fundit, Ukraina ka arritur që t’i rikthejnë nën kontroll disa qytete që ishin pushtuar nga rusët./REL