Sulmet ndaj gazetarëve janë arratisje nga llogaridhënia/ Jorida Tabaku: Sjellja e Ramës, jo rastësi

Me një postim në rrjetet sociale , deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka dënuar sulmin verbal të kryeministrit Edi Rama, ndaj gazetares Klodiana Lala, që kritikoi qeverinë për përmbytjet dhe inceneratorët.

Sipas ligjvënëses, Lala mori një bullizim të hapur nga kreu i mazhorancës.

Tabaku nënvizon se; “sulmet ndaj gazetarëve janë arratisje nga llogaridhënia e qeverisë”.

Gjithashtu, ajo shton se sjellja e kreut të mazhorancës nuk është rastësi.

Postimi i Tabakut:

“Sulmet ndaj gazetarëve nuk janë debat. Janë arratisje nga llogaridhënia.

Kur Kryeministri bullizon gazetarët pse pyesin për korrupsionin qeveritar, problemi nuk janë pyetjet. Problemi është pushteti që ka humbur qetësinë sepse nuk ka përgjigje.

Kjo sjellje nuk është rastësi. Të dhënat ndërkombëtare konfirmojnë se degradimi i lirisë së medias në Shqipëri është sistematik. Sa më shumë ngushtohet laku i drejtësisë rreth qeverisë, aq më agresive bëhet gjuha ndaj medias.

Për këtë arsye, çdo ndryshim i propozuar në Kodin Penal për mbrojtjen e gazetarëve dhe fjalës së lirë është vetëm minimumi. Sepse këto kërkojnë një kulturë politike llogaridhënëse që sot nuk e kemi; një kulturë që pranon debatin e jo arrogancën; një kulturë që respekton mendimin ndryshe dhe nuk e sulmon atë!

Demokracia nuk dobësohet nga pyetjet e vështira. Ajo vdes nga heshtja që imponon pushteti.

Gazetarët janë zëri i publikut. T’i sulmosh ata, do të thotë t’i mbyllësh veshët shoqërisë për të mos dëgjuar të vërtetën”.


Shtuar 15.01.2026 13:58