Sulmi kibernetik ndaj rrjetit KA-SAT të Viasat në fund të shkurtit ndihmoi Putinin në luftën kundër Ukrainës, tha Këshilli i BE-së në një deklaratë. Sulmi kundër rrjetit KA-SAT të Viasat-it në fund të shkurtit ndodhi pikërisht kur forcat ruse u futën në Ukrainë, sipas BBC.
“Ky sulm kibernetik pati një ndikim të rëndësishëm duke shkaktuar ndërprerje të komunikimit pa dallim në disa autoritete publike, biznese dhe përdorues në Ukrainë, si dhe duke prekur disa shtete anëtare të BE-së”, tha Këshilli i BE-së në një deklaratë.
“Ky sulm kibernetik i papranueshëm është një tjetër shembull i modelit të vazhdueshëm të sjelljes së papërgjegjshme të Rusisë në hapësirën kibernetike, e cila gjithashtu ishte një pjesë integrale e pushtimit të saj të paligjshëm dhe të pajustifikuar të Ukrainës”, shtoi ai.
Sekretarja e Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar Liz Truss kritikoi gjithashtu Rusinë për incidentin, duke thënë: “Kjo është dëshmi e qartë dhe tronditëse e një sulmi të qëllimshëm dhe keqdashës nga Rusia kundër Ukrainës, i cili kishte pasoja të rëndësishme për njerëzit e zakonshëm dhe bizneset në Ukrainë dhe në mbarë Europën.”/albeu.com