Sulm kibernetik në Shqipëri, AKSHI-ja mbyll sistemet, duhet të mbrojmë të dhënat personale të qytetarëve

Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit në një deklaratë publike ka bërë me dije të gjithë qytetarët shqiptar se është detyruar të mbyllë përkohësisht aksesin e tyre në shërbimet publike për shkak të një sulmi kibernetik.

Në njoftim thuhet se për një kohë të pacaktuar qytetarët nuk do të mund të kenë akses në faqet e shërbimeve online si dhe ato qeveritare deri në momentin që të neutralizohen sulmet dhe të jenë të sigurta, duke mos rrezikuar të dhënat personale.

Njoftimi i plotë:

Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit i bën me dije qytetarëve shqiptarë se është detyruar të mbyllë përkohësisht aksesin e shërbimeve publike online dhe faqeve të tjera qeveritare për shkak se po përballemi me një sulm kriminal kibernetik të sinkronizuar dhe të sofistikuar nga jashtë Shqipërisë.

Për t’u bërë ballë këtyre goditjeve të paprecedenta dhe të rrezikshme, jemi detyruar të mbyllim sistemet qeveritare deri në neutralizimin e sulmeve armike.

Ftojmë qytetarët, mediat, bizneset dhe gjithë aktorët e tjerë të sensibilizohen për të thyer këtë sulm ndaj interesave kombëtare shqiptare dhe të mirëkuptojnë gjendjen e përkohshme të mos aksesimit të shërbimeve publike.

Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit është në gadishmëri të plotë dhe po punon gjatë të gjithë kohë me ekipin e Microsoft, ekipin e Jones Group International, dhe ekipet e kompanive shqiptare në fushën TIK për të mos lejuar që ky sulm kinerbetik të dëmtojë apo cënojë sistemet shqiptare të informacionit./albau.com