Suksesi i Demokracisë së Re në zgjedhjet e 21 majit, një pikë kthese për Greqinë

Nga Yiannis Babulias “The Spectator

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Kur rezultatet e hershme treguan një fitore të bujshme të Demokracisë së Re (ND) të qendrës së djathtë në raundin e parë të zgjedhjeve parlamentare të së dielës në Greqi, udhëheqësi i saj Kyriakos Mitsotakis iu drejtua një turme të madhe që po brohoriste  jashtë selisë së partisë me fjalët “E gjithë Greqia është bërë blu! Faleminderit!”.

Ai kishte të gjitha arsyet të ishte i kënaqur. Nea Demokratia arriti jo vetëm të mbajë pjesën e saj të votave që nga viti 2019, por ta zgjerojë mbështetjen me rreth 150.000 vota, duke arritur rezultatin komod 41 për qind. Të djathtët fituan më 21 maj në çdo do qark në të gjithë vendin, përveç njërit.

Edhe pse nuk kanë një shumicë, për shkak të ndryshimeve në ligjin zgjedhor të paraqitura nga Syriza gjatë kohës që ishin në qeveri, ata janë gati të fitojnë të qetë në raundin e dytë që do të mbahet në fund të qershorit ose në fillim të korrikut.

Në kushtet kur raundi dytë zhvillohet sipas një grupi rregullash të ndryshme, ai mund t’i japë partisë Nea Demokratia mbi 180 vende në parlamentin prej 300 vetash, duke i dhënë asaj një mandat të padiskutueshëm dhe fuqinë për të reformuar rrënjësisht institucionet e vendit.

Rezultatet e zgjedhjeve të 21 majit, do të sjellin më shumë gjasa një ndryshim të madh në peizazhin politik të vendit, pjesërisht për shkak të asaj që ndodhi rreth fitores së Demokracisë së Re. Syriza, partia që mishëroi valën e së majtës ekstreme evropiane në  të gjithë Evropën në dekadën e fundit, arriti të marrë vetëm 20 për qind të votave.

Nëse këto rezultate përsëriten në raundin e dytë, lidershipi i partisë do të japë me shumë gjasa dorëheqjen. Pa një pasardhës të qartë në horizont, kjo ka të ngjarë që kjo të jetë një goditje vdekjeprurëse për partinë që aspironte të zëvendësonte partinë socialiste, PASOK, si pretendentja kryesore ndaj Demokracisë së Re në sistemin dypartiak të Greqisë.

Fitorja e të djathtës ndodhi pavarësisht dhjetëra skandaleve që kanë shoqëruar mandatin e Nea Demokratia:Trajtimi i pandemisë nga kjo parti ishte katastrofik. Dhuna e policisë është sot një dukuri e shumë-përhapur. Liria e medias ka përkeqësuar dhe është parë vazhdimisht mungesa e dukshme e shërbimeve të emergjencës.

Ndërkohë, mungesa e investimeve në infrastrukturën e vendit shkaktoi tragjedinë më të madhe hekurudhore që ka parë vendi, dhe për të cilën u fajësua drejtpërdrejt qeveria. Pavarësisht gjithë kësaj, është Syriza – partia dikur sunduese e së majtës që shkaktoi valë tronditjeve në BE në vitin 2014 – ajo që po shkon drejt kolapsit.

Nga ana tjetër, Demokracia e Re ka treguar një qëndrueshmëri të jashtëzakonshme. Përpjekja për të zbuluar faktorët që kontribuan në triumfin e saj në mesin e kaq shumë polemikave do të jetë e ndërlikuar. Megjithatë, ka të dhëna se votuesit e saj janë të bindur nga suksesi modest i partisë qeverisëse në ekonomi, që ka tani një nga ecuritë më të larta në Evropë (të paktën në letër).

Dhe Syriza u ndëshkua për faktin se sa u tregua shumë e dobët, duke mos e mbajtur shumicën përgjegjëse për skandalet e lartpërmendura. Ndërkohë që abstenimi është në të njëjtin nivel si në zgjedhjet e vitit 2014, kur Syriza doli fituese, këtë herë u duk se ishte ajo më e goditura. Rënia e Syrizës nga pozicioni i saj maksimalisht në vitin 2014 në gjendjen aktuale kaotike, shënon fundin e një cikli të madh politik, që nisi me krizën e rëndë bankare të vitit 2008.

Dorëheqja e afërt e udhëheqjes së partisë, dhe mungesa e pasardhësve të qartë, ngrenë disa  pyetje kritike për të ardhmen e Syrizës. Kjo mund të ketë pasoja, të cilat mund të shtrihen përtej Greqisë, dhe në peizazhin më të gjerë politik evropian. A ka sot ndonjë të ardhme për lëvizjet e majta populiste që e sfiduan statuskuo-në në vitet 2010?

Kjo duket gjithnjë e më e dyshimtë. Një shenjë tjetër se mund të shohim një rend post-populist, është dështimi i partisë së Yanis Varoufakis, MeRA25, për të kapërcyer pragun minimal për të hyrë në parlament. Ekonomisti i njohur ishte kandidati më popullor i zgjedhjeve të 2015-ës. /albeu.com


Shtuar 24.05.2023 09:21