Suedia shpreson t’i bashkohet NATO-s në korrik, Hungaria dhe Turqia ende kundërshtojnë

Ministri i Jashtëm i Suedisë, Tobias Billstrom ka thënë se ka shpresa se vendi i tij mund të anëtarësohet në NATO deri në kohën e një samiti të aleancës në korrik.

Duke folur gjatë një takimi me homologun e tij serb Ivica Dacic në Beograd, Billstrom tha se Suedia do të jetë një ofrues sigurie për organizatën dhe është e qartë se janë të mirëpritur.

“Ne kemi shumë, shumë shpresë për përfshirjen e Suedisë në NATO në samitin e Vilniusit”, tha ai.

Suedia dhe fqinji i saj Finlanda aplikuan të dyja për t’u bashkuar me NATO-n në maj 2022, duke lënë mënjanë vite të tëra mosangazhimi ushtarak për të kërkuar mbrojtje nën ombrellën e sigurisë së organizatës.

Finlanda u bë zyrtarisht anëtare në fillim të këtij muaji pasi aplikimi i saj u përpunua në kohë rekord.

Por kandidatura e Suedisë është ende në pritje për shkak të kundërshtimit nga Turqia dhe Hungaria.

Të dy vendet do të inkurajohen nga SHBA që të ratifikojnë pranimin e Suedisë, tha sekretari amerikan i mbrojtjes Lloyd Austin gjatë një vizite në Suedi sot.

Ai tha se SHBA pret me padurim të mirëpresë Suedinë si anëtare të NATO-s përpara samitit të korrikut. /albeu.com


Shtuar 19.04.2023 18:08