Për javën që presim përpara vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike relativisht të paqëndrueshme edhe pse orët apo ditët me diell nuk do të mungojnë.
Në këtë mënyrë për ditën e Hënë dhe ditën e Martë moti parashikohet me kthjellime si dhe alternime vranësirash të cilat do të shoqërohen me reshje shiu të izoluara dhe të dobta kryesisht në relievet e larta malore.
Për ditën e Mërkurë dhe atë të Enjte moti parashikohet kryesisht i vranët edhe pse sic u përmend më lartë nuk do të mungojnë orët me diell (kthjellime). Nga orët e pasdites të ditës së Mërkurë deri në orët e mëngjesit të ditës së Enjte përgjatë ultësirës perëndimore priten reshje shiu me intensitet mesatar dhe të lartë. Lokalisht këto reshje do të jenë të rrëmbyeshme në formën e stuhive shoqëruar me shkarkesa elektrike dhe breshër. Në pjesët e tjera të vendit reshjet do të jenë me intensitet të ulët dhe mesatar.
Java mbyllet me ditën e Premte ndërsa moti parashikohet fillimisht me alternime kthjellimesh e vranësirash. Më pas mot i vranët e reshje shiu të herëpashershme. Reshjet në zonën e veriut dhe qendër do të jenë me intensitet hera-herës deri të lartë në formën e shtrëngatave apo rrebesheve.
Vlen për tu theksuar gjithashtu se pritet luhatje e ndjeshme e temperaturave herë në vlerat minimale dhe herë në ato të mesditës (si pasojë e ndryshimit drastik të masave ajrore por edhe elementit të erës). Duke iu referuar elementit të erës ajo pritet përsëri intensive dhe relativisht problematike nga dita e Mërkurë deri ditën e Premte pasdite. Për këto ditë era pritet të fryjë nga kuadrati i jugut dhe shpejtësi mesatare 3-12 m/s ndërsa përgjatë vijës bregdetare dhe lugina era fiton shpejtësi deri në 18-23 m/s duke bërë që dallgëzimi në dete të jetë i lartë.