Studentët “homazhe” për degët e “vdekura” në universitete, vendosin dy pllaka varri para Ministrisë së Arsimit

Studentët kanë vendosur dy pllaka varri përpara Ministrisë së Arsimit në shenjë simbolike të zbrazjes së universiteteve.

Në një protestë paqësore, studentët me lule në duar janë venë rresht duke bërë “homazhe” para ministrisë.

Një prej protestuesve, Gevio Tabaku tha se dy pllakat e varrit simbolizojnë mbylljen e degëve, si pasojë e zbrazjes së universiteteve.

Ai shprehet se në universitetet kryesore të vendit, po mbyllen degë kryesore.

“Matematika që ishte guri i themelit në Universitetin ‘Luigj Gurakuqi’ po mbyllet, a dini që gjuha shqipe në universitetin ‘Fan S. Noli’ ka vetëm dy regjistrime, Durrësit po i mbyllet dega e hoteleri-turizmit, askush nuk shqetësohet për fizikën në universitetin e Tiranës. A e pyet veten kjo ministre që studentët s’po preferojnë as degët. Kjo simbolizon Funeralin e dhjetëra degëve. Qëndresa shpreh shqetësimin e braktisjes, rrënimit dhe pakësimit, Shqipëria do të jetë vendi i vetëm, që s’do të ketë nevojë për Ministri Arsimi , se çdo vit pakësohet numri i studentëve në nivelin bachelor. Ky simbol i funeralit ka të bëjë me mbylljen e dhjetëra degëve dhe dështimin e bursave. 71.6% rrezikojnë të mbyllen sepse nuk i frekuentojnë, i frekuentojnë më pak se 10 studentë. Duke qenë se programet prioritare janë jeleku i shpëtimit, nisur nga ky aksion do të ndjekim hap pas hapi që të kuptojmë pse të rinjtë nuk i duan këto programe. Duke përsëritur shifrat në vitin 2022 universitetet do të braktisen, deri në vitin 2030 pritet të ketë 40% më pak”, tha një prej protestuesve., Gevio Tabaku.

“Do të ketë përshkallëzim, por në mënyrë paqësore, jemi këtu për t’ja kujtuar ministrisë. Mund të ketë dhe plane të gatshme që akoma nuk janë zbatuar”, tha një tjetër protestues.