STOP MONOPATINAVE ELEKTRIKE! Kërcënim për sigurinë publike, Koçiu e Proda: Nga e hëna do hiqen nga qarkullimi

Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit do të nisë bllokimin e qarkullimit të monopatinave.

Ministrja Albana Koçiu dhe kreu i uniformave blu, Ilir Proda, në një video-mesazh dhanë dhe arsyet e kësaj vendimmarrjeje.

Ministrja e Punëve të Brendeshme Albana Koçiu dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ilir Proda bënë publike rregullat e reja për sigurinë publike në lidhje me përdorimin e monopatinave elektrike!

Ministrja e Punëve të Brendeshme Albana Koçiu: “Thirra sot në takim Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit për të adresuar një shqetësim në rritje të qytetarëve sa i përket përdorimit të monopatinave elektrike.
Kemi marrë një sërë ankesash dhe raportimesh nga qytetarët rreth rrezikshmërisë që këto mjete përfaqësojnë,sidomos për të miturit apo të moshuarit që lëvizin në rrugë, por edhe vetë për përdoruesit e tyre.
Të dhënat e Policisë së Shtetit mbështesin këtë problematikë në rritje”.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ilir Proda: “Ne kemi bërë një analizë të hollësishme në lidhje me këtë fenomen dhe kemi arritur në përfundimin qe përdorimi i këtyre mjeteve po shkakton një rrezik imediat për sigurinë publike. Mjafton të përmendim faktin që vetëm gjatë vitit 2024 janë 991 raste të raportuara nga urgjenca për aksidente me këto mjete, mes këtyre rasteve ka pasur edhe fatalitete si dhe dëmtime shumë të rënda. Për ta adresuar këtë problem dhe këtë rrezik që i vjen rendit dhe sigurisë publike dhe përdoruesve të rruges nga përdorimi i këtyre mjeteve ne kemi përcaktuar edhe një procedurë sdandarde bazuar në ligjin për Policinë e Shtetit për ta adresuar këtë problem duke ndëshkuar drejtuesit e mjeteve dhe përdorimin e këtyre mjeteve në rrugë urbane duke përfshirë edhe troturaret dhe duke arritur deri në bllokim administrativ të këtyre mjeteve”.

Ministrja e Punëve të Brendeshme Albana Koçiu: “Sot, i kam kërkuar Policisë së Shtetit që përkohësisht, të mos lejojë qarkullimin e monopatinave elektrike. Gjithashtu, dua të informoj të gjithë ata që e shohin monopatinën si një mënyrë biznesi, për dhënien me qira ditore, duhet t’a kenë të qartë që të mos investojnë në këtë aktivitet! Lejimi, gjithmonë pas përfundimi i këtij procesi, do të jetë i vlefshëm vetëm për përdorim vetjak të këtyre mjeteve. Ne do të hartojmë rregulla të qarta dhe të zbatueshme nga të gjithë. Do të qartësojmë një herë e përgjithshmonë se cilat janë korsitë, rrugët apo hapësirat ku monopatinat mund të përdoren dhe ku jo. Si dhe kriteret për moshën e përdorimit, masat mbrojtëse si kaska, ndriçimi apo shpejtësia e lejuar. Megjithatë, deri në hartimin e një kuadri të plotë rregullator, interesi publik dikton një ndërhyrje të menjëhershme”.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ilir Proda: “Që nga dita e hënë Policia e Shtetit do të përfshihet në një operacion për ndalimin e qarkullimit yë këtyre mjeteve dhe prandaj kërkojmë mirëkuptimin e qytetarëve për këtë proces”.

Ministrja e Punëve të Brendeshme Albana Koçiu: “Shqipëria nuk është i vetmi vend është përballur me këtë situatë. Franca, Italia, Gjermania, në rajon Maqedonia e Veriut, e shumë vende të tjera kanë marrë masa drastike, me bllokim të përhershëm apo të pjesshëm. Dua të sqaroj opinionin publik se ne do të studiojmë të gjithë këto shembuj dhe praktikat më të mira në nivel europian, për të balancuar interesin e të gjitha palëve të përfshira”.


Shtuar 12.10.2025 13:06