Kryeministri i vendit, Albin Kurti është deklaruar sot lidhur stërvitjet e ushtarëve serbë në kufi me Kosovën.
Kurti tha se ky është një provokim i Serbisë, që dëshiron të cenojë integritetin territorial dhe sovranitetin shtetëror të Kosovës, por në të njëjtën kohë sipas tij, tregon pasigurinë e tyre.
“Ky është një provokim i Serbisë, e cila natyrisht dëshiron ta cenojnë integritetin territorial dhe sovranitet shtetëror të Republikës sonë. Bëhet fjalë për njësi të cilat e kanë trajnuar kryekriminelin dhe krye-terroristin Milan Radoiçiq…
Por, në të njëjtën kohë tregon edhe pasigurinë e tyre, sepse në Kosovë nuk ka më struktura ilegale të cilat mund ta cenojnë stabilitetin institucional, integritetin territorial, sovranitetin shtetërore, paqen dhe sigurinë për të gjithë”, tha ai.
Kurti tutje theksoi se këto stërvitje të ushtarëve serbë janë provokim dhe për këtë i kanë shkruar faktorëve ndërkombëtarë.
“Por, forcat tona janë të përgatitura, kufiri ynë është i mbrojtur dhe këtë e bëjmë me Forcën e Sigurisë së Kosovës, Policinë e Kosovës, Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë dhe me partnerët tanë ndërkombëtarë, në veçanti me KFOR-in.
Një njërën anë është e vërtetë që demonstrojnë destruktivitet dhe agresivitet, por në anën tjetër është shprehje e frikës dhe e pafuqisë së tyre që Republika e Kosovës është më e fortë se kurrë, më e përparuar se kurrë dhe nuk mund të na ndalin pavarësisht se çfarë planesh kanë apo çfarë dëshirash nuk ju treten ende”, tha ai.
