Sterilizimi/ Zbardhet dëshmia e Rjepajt në gjykatë: Çështja është paragjykuar për 19 vite, s’është lejuar debat profesional

Ditën e sotme, seanca gjyqësore për çështjen e sterilizimit u ndërpre, për shkak të largimit të avokatit të të pandehurit Klodian Rjepaj, për arsye familjare.

Seanca u shty për më 28 maj.

Në fjalën e tij para gjykatës, Rjepaj deklaroi se çështja është paragjykuar ndër vite dhe nuk është lejuar të debatohet në mënyrë profesionale.

“Ne jemi këtu për një procedurë që ka gati 19 vite që diskutohet, paragjykohet, akuzohet dhe në asnjë rast kjo çështje nuk është lejuar të debatohet shkencërisht, por është debatuar në mënyrë folklorike, mediatike dhe politike”, — tha ai.

Ai shtoi se vendimet gjyqësore të deritanishme, kanë treguar paragjykim ndaj çështjes dhe se projekti i sterilizimit është devijuar nga qëllimi i tij i vërtetë.

“Nuk ekziston projekti i Sterilizimit. Të gjithë elementët në kallëzim nuk përputhen me elementët e projektit”, — vijoi Rjepaj.

Ai gjithashtu theksoi se akuza është ndërtuar mbi fakte të pavërteta dhe kërkoi një trajtim të drejtë për mjekët dhe stafet që kanë qenë pjesë e këtij shërbimi.

Çfarë tha Klodian Rjepaj në gjykatë?

Ne jemi këtu për një procedurë, që ka gati 19 vite që diskutohet, paragjykohet, akuzohet dhe në asnjë rast kjo çështje nuk është lejuar të debatohet shkencërisht, por është debatuar në mënyrë folklorike, mediatike dhe politike. Paragjykini për këtë çështje është shumë i madh. Deri më sot cdo vendim gjykate ka treguar paragjykim ndaj kësaj cështjeje.

Nga ana mediatike, sterilizimi është bërë si thesi bosh i miellit, që sa herë e shkund nxjerr tym. Në respëkt të kirurgëve dhe stafeve mjekësore, që janë ndihmuar nga ky shërbim duhet bërë një debat mirëfilli. Kisha shkruar me shkrin dore sot, por më ra një shishe ujë mbi letra dhe u shpërnda boja.

Projekti i Sterilizimit është një devijim nga projekti i vërtetë. Është devijim i qëllimshëm për të bërë persekutim. Nuk ekziston projekti i Sterilizimit. Të gjithë elementët në kallëzim nuk përputhen me elementët e projektit.

Nuk është gjykuar deri sot që akt-padia e bërë nga Nisma Thurje është e rreme, mbi fakte të pavërteta.


Shtuar 21.05.2025 15:58