Statistikat e Eurostat/ Berisha: Paga minimale në vend nuk ka ndryshuar, paga më e lartë 15 herë më e madhe se ajo minimale

Pas publikimit të të dhënave të Eurostat, kreu i PD-së, Sali Berisha, ka reaguar duke denoncuar pabarazinë e thellë në pagat në Shqipëri.

Sipas tij, paga minimale prej 408 euro nuk ka ndryshuar që nga viti 2023, ndërsa paga më e lartë arrin deri në 7 mijë euro.

Berisha e cilësoi këtë hendek, si më të madhin në Europë dhe dëshmi të “pashpirtësisë së qeverisë”.

Ai akuzoi kryeministrin Rama, për vendosjen e pensioneve luksoze për veten dhe njerëzit pranë tij.

Pjesë nga fjala e kreut të PD-së Sali Berisha:

Eurostat jep lajmin damkosës për ekipin drejtues të narkoshtetit shqiptar.

Shqipëria është sot vendi me hendekun më të madh midis rrogave maksimale dhe rrogës minimale të qytetarëve shqiptarë.

Eurostat konstaton se rroga minimale në Shqipëri nga viti 2023 gjer sot ka mbetur aty ku ishte, 408 euro.

Ndërkohë rroga maksimale në Shqipëri, paga neto e Altin Troplinit është 7 mijë euro. Është 15 herë më e madhe se paga minimale.

Ndërkohë që rroga minimale nga viti 2023, siç deklaron Eurostat, është gjithsej 408 euro, rrogat e larta janë rritur me 30-40 përqind.

A mund të imagjinoni ju që Edi Rama përcaktoi pension minimal për veten e tij, pensionin 4 mijë euro. Përcaktoi pra pension 10 rroga minimale.

E imagjinoni ju se çfarë pashpirtësie dhe amoraliteti i plotë.

Para jush me dhjetëra e dhjetëra herë kam denoncuar hendekun e madh midis rrogave minimale dhe rrogave maksimale.

Ky hendek në Shqipëri është ndër më të thellët në botë. Në Europë po e po, por në botë.

E thashë, Altin Troplini merr sa 15 rroga minimale.

Imagjinoni ju një punëtore të thjeshtë në SKAP, e cila rrit tre fëmijë, katër fëmijë, dhe bosi Troplini merr 15 herë më shumë se ajo.

Këto janë parime çnjerëzore të përcaktimit të pagave.


Shtuar 3.09.2025 13:19