“Spiunët e sigurimit dhe ‘non gratat’ në politikë”, Balla tregon çfarë i pret ata në shtator

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, është shprehur se në shtator do të miratohen të gjitha ndryshimet për të rishikuar certifikatën e pastërtisë.

Këto ndryshime pritet të vijnë pas debateve për dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit.

Komentet Balla i bëri përmes një postimi në Facebook, kryetari i grupit parlamentar të PS-së, deklaron se Kuvendi i Shqipërisë gjithashtu do të duhet të adresojë gjatë sesionit të ri edhe situatën e papranueshme dhe absurde prej një viti se si një sekretar partie i shpallur non grata nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Mbretëria e Bashkuar që vazhdon të përdhosë këtë institucion me praninë dhe gjuhën e tij.

Postimi i plotë i Taulant Ballës:

Ngjitja e bashkëpunëtorëve të sigurimit të shtetit, një shërbimi sekret terrori, në të gjitha majat e piramidës shtetërore, ka bërë të domosdoshëm miratimin sa më parë nga Kuvendi i Shqipërisë, në sesionin e ri që nis në shtator, të ndërhyrjeve ligjore që janë depozituar tashmë sipas propozimit të Autoritetit të Dosjeve, për të rishikuar çertifikatën e pastërtisë të kujtdo që ka hyrë në politikë me përgjues në trup, si shërbëtor i Sigurimit të Shtetit.

Kuvendi i Shqipërisë do të duhet të adresojë gjatë sesionit të ri edhe situatën e papranueshme dhe absurde prej një viti se si një sekretar partie i shpallur non grata nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Mbretëria e Bashkuar, vazhdon të përdhosë këtë institucion me praninë dhe gjuhën e tij.

Ne nuk ia drejtojmë dot bishtin as non gratës as bashkëpunetorëve, por ne nuk mund dhe nuk duhet të lejojmë të keqen të vazhdojë të bëjë moral me shpresën se do të hajë kokën e vet, madje absurdi të shkojë deri aty sa këta lloj të bërtasin për drejtësi, kur janë vetë ata që kanë hesapet më të mëdha me drejtësinë dhe Shqipërinë./albeu.com/