Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali ka mbërritur ditën e sotme në Izrael, në përgjigje të ftesës që mori një javë më parë nga homologu izraelit, Gideon Sa’ar.
Ministrja e Jashtme do të pritet në një takim bilateral nga homolgu Sa’ar, si dhe nga kryetari i Kuvendit të Izraelit, Amir Ohana.
Ndalesën e saj të parë në Izrael, ministrja Spiropali e pati në vendndodhjen e Festivalit Nova, në përkujtim të viktimave të masakrës së 7 tetorit 2023, që u mori jetën mbi 1200 civilëve.
Spiropali theksoi se “kthimi i të gjitha pengjeve në shtëpi do të ishte një hap vendimtar për mbrojtjen e dinjitetit njerëzor”.
“Shqipëria mbështet marrëveshjen e paqes, arritur së fundmi me ndërmjetësimin e Presidentit Trump, si e vetmja mënyrë për stabilitet në Lindjen e Mesme dhe bashkëjetesën në siguri e dinjitet për të dy popujt”, deklaroi Spiropali nga Izraeli.
Diskutimet mes dy ministrave të Jashtëm do të fokusohen gjithashtu në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe, zhvillimet rajonale, bashkëpunimin ekonomik, inovacionin dhe interesat e përbashkëta strategjike.
Spiropali do të vizitojë gjithashtu memorialin “Yad Vashem”, qendrën e përkujtimit dhe dokumentimit të Holokaustit, ku shqiptarët nderohen ndër popujt që rrezikuan jetën e tyre për të shpëtuar hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore.