Një spektakël i vërtetë, është duke ndodhur me tenderin e kamerave në dogana, ku prej disa muajsh një kompani e quajtur CSP, vijon të ankohet në KPP për favorizim nga AKSHI të kompanisë AlbaScan përmes kushteve teknike. KPP, ka urdhëruar dy herë ndryshimin e kushteve teknike, por AKSHI bën sikur nuk kupton.
Nga; Skyweb.al
Komisioni i Prokurimit Publik ka urdhëruar sërish ndalimin e tenderit për instalimin e kamerave të sigurisë në dogana, duke konstatuar se Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionitnuk ka zbatuar vendimin e mëparshëm të datës 27 maj 2025. Sipas verifikimeve të kryera nga KPP, ndryshimet në dokumentet e tenderit janë sipërfaqësore dhe nuk përmbushin kërkesën kryesore për unifikimin e specifikimeve teknike, veçanërisht për kamerat “Outdoor Bullet”.
Ky është vendimi i dytë i KPP për këtë tender, duke e detyruar AKSHI-n të ndryshojë dokumentacionin teknik dhe të ndalojë menjëherë vijimin e procedurës aktuale, me pasoja të drejtpërdrejta në kohën dhe zhvillimin e projektit.
Ankesa e parë e CSP dhe paralajmërimi për favorizime
Skandali nisi kur kompania CSP SHPK, në pronësi të Klevis Xhagollit, paraqiti një ankesë pranë KPP-së duke akuzuar AKSHI-n për hartimin e një dokumentacioni që favorizonte pajisjet e një prodhuesi specifik: kompania kineze Uniview, përmes modelit IPC6858ER-X40-VF. Sipas CSP-së, specifikimet teknike ishin “qepur si kostum” vetëm për këtë pajisje, duke përjashtuar çdo alternativë tjetër në treg dhe shkatërruar garën e lirë mes operatorëve.
Kapitali.al dhe Skyweb.al raportuan më herët se Uniview është një kompani e sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për shkelje të të drejtave të njeriut, pasi teknologjia e saj është përdorur për survejimin masiv të minoriteteve si ujgurët.
Pavarësisht kësaj, produktet e Uniview u përfshinë në tenderin e AKSHI-t, ndërkohë që kërkohej që punonjësit që do të instalonin kamerat të kishin certifikata sigurie nga Autoriteti Kombëtar për Sigurinë e Informacionit të Klasifikuar (AKSIK).
Anulimi i parë: AKSHI (bën sikur) tërhiqet përballë urdhrit të KPP
Pas shqyrtimit të ankesës së CSP-së dhe rritjes së presionit publik, KPP më 27 maj 2025 pranoi pjesërisht ankesën dhe urdhëroi AKSHI-n që të modifikonte specifikimet teknike dhe të eliminonte çdo element që kufizonte konkurrencën.
AKSHI reagoi duke anuluar tenderin dhe e rishpalli procedurën, duke pretenduar se kishte përmirësuar dokumentacionin sipas urdhrit të Komisionit.
Megjithatë, shqetësimet nuk u zgjidhën.
Ankesa e dytë: CSP akuzon për riciklim të të njëjtave kritere diskriminuese
Menjëherë pas rishpalljes së tenderit, CSP paraqiti një ankesë të dytë, me argumentin se ndryshimet ishin minimale, ndërsa specifikimet teknike mbeteshin të njëjta në thelb dhe vijonin të favorizonin të njëjtën markë.
Në këtë ankesë, CSP denoncoi se tenderi vazhdon të jetë i ndërtuar për të imponuar një zgjidhje të caktuar dhe të mbyllë garën për operatorë të tjerë, duke sjellë rritje të pajustifikuar të kostove dhe shkelje të Ligjit për Prokurimet Publike.
Përfaqësia shqiptare e Uniview dhe lidhjet me AlbaScan
Një detaj tjetër që rëndon situatën është se Uniview nuk ka përfaqësi të drejtpërdrejtë në Shqipëri. Produktet e saj ofrohen përmes ndërmjetësit AlbaScan, e listuar zyrtarisht si partner i Uniview. Në këtë mënyrë, përmes një strukture të tërthortë, teknologjia e një kompanie të sanksionuar tenton të depërtojë në sistemin e sigurisë doganore të Shqipërisë, duke krijuar rrezik të drejtpërdrejtë për sigurinë kombëtare dhe përputhshmërinë me standardet euroatlantike.
Vendimi i fundit i KPP: AKSHI të ndryshojë kushtet dhe të rishpallë tenderin
Në vendimin e datës 9 qershor 2025, KPP vlerëson se AKSHI ka shkelur vendimin e mëparshëm, duke mos bërë unifikimin e kërkuar mes certifikimeve në tabelat teknike dhe dokumentit “TORs”. Komisioni vëren se kjo mospërputhje sjell paqartësi për operatorët ekonomikë dhe dëmton transparencën e procesit duke lënë të kuptohet se tenderi është “paketuar” për AlbaScan.
Si pasojë, KPP ndalon vijimin e procedurës dhe i kërkon AKSHI-t të korrigjojë dokumentacionin për herë të dytë, duke respektuar tërësisht vendimet e mëparshme.
Kjo duhet të çojë në një rishpallje të tretë të tenderit, me kushtet e korrigjuara dhe të harmonizuara teknikisht, në mënyrë që të garantohet konkurrencë reale dhe mosfavorizim. /skyweb.al