Specat e importuar nga Shqipëria tërhiqen urgjentisht nga tregu në Slloveni, zbulohet prania e pesticideve të rrezikshme

Një ngarkesë me speca të kuq të eksportuar nga Shqipëria në Slloveni është tërhequr me urgjencë nga tregu, pasi analizat laboratorike kanë zbuluar nivel të lartë pesticidesh të rrezikshme për shëndetin.

Sipas autoriteteve sllovene, bëhet fjalë për pesticide si acetamiprid, formetanate dhe flonicamid, të cilat tejkalojnë kufijtë e lejuar. Produkti ishte importuar në Slloveni nga 24 gushti deri më 4 shtator, dhe ishte shpërndarë në kuti kartoni dhe plastike.

Klientët këshillohen ta kthejnë produktin ose ta hedhin. Kompania Geaprodukt, që ka importuar specat nga Shqipëria, ka dhënë urdhër për tërheqjen e menjëhershme të tyre nga tregu dhe ka kërkuar nga klientët që ta kthejnë produktin në vendin e blerjes, ose në rast se kjo nuk është e mundur, ta asgjësojnë vetë me kujdes.

Po ashtu, kompania ka paralajmëruar konsumatorët që mund të kenë konsumuar ose pasur kontakt me specat, të lajnë mirë duart dhe nëse ndiejnë probleme me tretjen apo të përziera, të kërkojnë menjëherë ndihmë mjekësore.


Shtuar 5.09.2025 19:45