Qyteti i Durrësit prej disa ditësh është shndërruar në një Venecia për shkak të motit të keq, përmbytjeve dhe pasojës që kanë sjellë investimet e këqija, me një hidrovor që kushtoi 19 milionë euro, por që nuk kryen funksionin për të parandaluar katastrofën që ka pllakosur në qytetin bregdetar.
Ndërsa Prokuroria ka nisur hetimet për këtë rast, ku mes të dyshuarve është edhe biznesmeni Petrit Kovaçi, babai i Spartak Kovaçit, ish-drejtor i Përgjithshëm i Ujësjellës-Kanalizimeve në Durrës, qindra qytetarë dolën në rrugë dhe para Bashkisë në protestë, duke akuzuar zyrtarët vendorë dhe qendrorë si shkaktarë të përmbytjes.
Mes tyre ishte edhe një qytetare e moshuar, e cila mbajti fjalim me megafon dhe denoncoi abuzimet me fondet e mirëmbajtjes në Durrës, ku edhe pse harxhohen miliona euro, hidrovoret dhe kanalizimet nuk funksionojnë, duke përmbytur banesat e tyre.
Ajo tha se qytetartë janë në ujë, kurse zyrtarët nëpër kolltuqe, teksa shtoi se Zoti do dënonte si kryebashkiaken Sako, ashtu edhe ish-drejtorin Kovaçi, babai i të cilit mori tenderin e kolektorit që sot nuk funksionon.
“I bashkohemi popullit tonë durrsak. Njerëzit po vuajnë, janë në mes të ujit. Këta janë në mes të kolltuqeve. Po i vjedh Emirjana Sako, Emirjana Sakon ka për ta dënuar Zoti, Spartak Kovaçin ka për ta dënuar Zoti! Jemi një popull këtu që mbështetemi të gjithë me mish e me shpirt. I bëj një thirrje rinisë të vijë këtu, që rrinë në lokale, të kenë turp. Kam ardhur këtu nga halli, për moshën që kam. Kam dalë nga shtëpia për ju. Rinia të vijë këtu, mos të rrijë në kafe, të na bashkohet”, tha ajo mes të tjerash para protestuesve që e brohoritën dhe duartrokitën.
Turma e qytetarëve përshkoi sot (8 janar) rrugët e qytetit në shenjë proteste, me thirje e pankarta kundër qeverisë, teksa solli në vëmendje skandalet e korrupsionit të ministres së linjës, Belinda Balluku.
Organi i akuzës ka dyshime se situata të jetë shkaktuar për shkak të mosfunksionimit të hidrovorit që ka kushtuar 19 milionë euro. Tenderi për hidrovorin u fitua nga bashkimi i kompanive 2T, Adriatik dhe Vëllezërit Hysa.
Kompania Adriatik zotërohet në masën 50% nga Petrit Kovaçi, babai i Spartak Kovaçit, ish-drejtor i Përgjithshëm i Ujësjellës-Kanalizimeve në Durrës.
Prokuroria e Durrësit nisi hetimet për përmbytjet, mes tyre edhe biznesmeni Petrit Kovaçi
Prokuroria e Durrësit ka nisur hetimet për përmbytjet që kanë prekur disa zona të qytetit dhe vdekjes së një personi, punonjës i Ndërmarrjes Komunale.
Organi i akuzës bën me dije se ka nisur hetimet për tre vepra penale, shpërdorim detyre, shkatërrimi i pronës me përmbytje dhe shkatërrimi i pronës nga pakujdesia.
“Me qëllim thellimin në shkaqet që kanë çuar në shkaktimin e këtyre pasojave dhe analizimin në mënyrë ezauruese nëse shkaqet kanë qenë tërësisht natyrore apo kanë ardhur si pasojë e pakujdesisë apo mospërmbushjes së detyrës nga ana e organeve kompetente shtetërore apo të vetëqeverisjes vendore, merret iniciativa për regjistrimin e këtij procedimi penal. Ndërkohë, hetimi i mëtejshëm do të japë përfundime të drejta mbi ekzistencën ose jo të përgjegjësisë penale“, njoftoi Prokuroria.
Organi i akuzës ka dyshime se situata të jetë shkaktuar për shkak të mosfunksionimit të hidrovorit që ka kushtuar 19 milionë euro. Tenderi për hidrovorin u fitua nga bashkimi i kompanive 2T, Adriatik dhe Vëllezërit Hysa. Kompania Adriatik zotërohet në masën 50% nga Petrit Kovaçi, babai i Spartak Kovaçit, ish-drejtor i Përgjithshëm i Ujësjellës-Kanalizimeve në Durrës.
“Ortaku themelues i shoqërisë është Ardjan Mustafaraj me 100% të kapitalit. Më datë 24.04.1998, u regjistrua në Qendrën Kombëtare të Biznesit dhurimi i 50% të kuotave të kapitalit të zotëruara nga Ardjan Mustafaraj në favor të Z. Petrit Kovaçi.”, thuhet në të dhënat zyrtare në Open Data.
Petrit Kovaçi ka lidhje familjare me Ceno Klosin, ish-drejtor i Përgjithshëm i Tatimeve dhe aktualisht deputet i PS në qarkun Fier. Ndërkohë, Spartak Kovaçi është pjesë e rrethit të personave të afërt me zëvendëskryeministren Belinda Balluku, e cila është marrë e pandehur nga SPAK për shkelje të barazisë në tendera.
Ndërsa kompania 2T zotërohet në masën 20% nga Artan Sako, vëllai i Gramoz Sakos, aktualisht kryetar socialist i Bashkisë së Tepelenës dhe më herët drejtues i Gardës së Republikës.
Më herët ditën e sotme, edhe anëtarja e Këshillit Kombëtar të PD-së, Ilirjana Kuçana kallëzoi në SPAK Bashkinë e Durrësit, ministrinë e Bujqësisë dhe Drejtorinë e Kullimit për “shpërdorim detyre”, pas përmbytjeve. Ajo u shpreh se kryebashkiakja Emirjana Sako, pas investimit rreth 19 mln euro për hidrovorin, deklaronte se Durrësi nuk do të ketë më probleme me përmbytjet.


