SPAK zbuloi episod të ri korrupsioni/ Meta: Mbaj Përgjegjësi vetëm për vete, jo për kushërinjtë!

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta reagon pasi në media u raportua se SPAK zbuloi një tjetër rast të dyshuar korrupsioni.

Por edhe Meta e mohon, duke thënë se ai nuk ka kryer asnjë akt të paligjshëm as në Shqipëri, SHBA apo vend tjetër. Kreu i PL thotë se mban përgjegjësi vetëm për veten dhe për askënd tjetër.

Me ironi, Meta shkruan se Dumani kërkon ta mbajë çift me Monikën me “zor”, pasi edhe kur iu komunikuan akuzat si i pandehur, statusin e kishte ende i martuar.

Reagimi i plotë i Ilir Metës:

Në respekt të qytetarëve, të cilëve u kam shërbyer edhe si President i Republikës, edhe si Kryeministër edhe si Kryetar i Kuvendit, edhe në funksione të tjera ekzekutive dhe parlamentare, distancohem me neveri nga dizinformacionet e shpërndara dhe të rrjedhura në media me urdhër të Edi Ramës dhe Altin Dumanit, për gjoja episode të reja të çiftit Meta-Kryemadhi.

Unë e mirëkuptoj pasionin e tyre për të mbajtur me pahir në opinion një çift, që nuk ekziston më as juridikisht prej një viti.

Madje pasioni i Altin Dumanit është “kaq i zjarrtë” për të mbajtur gjallë këtë çift në publik dhe në shërbim të hetimeve të tij prej 6 vitesh me urdhër të Charles McGonigalit dhe Edi Ramës, që nga dhjetori 2019, aq sa edhe në akuzën si i pandehur që m’u komunikua më 27 maj, statusin tim e kishin ende i martuar, kur ndërkohë që ky status nuk ekziston juridikisht prej 1 viti.


Shtuar 20.06.2025 15:53