SPAK zbardh skemën e zhvatjes me tenderët e AKSHI: Verifikim faturave drejt Soft & Solution të Ermal Beqirit, dyshohet së bëri “hinkën”

SPAK ka intensifikuar veprimet lidhur me hetimin e tenderëve të AKSHI gjatë viteve të fundit, dhe pritet që në javët në vijim të merren masa që mund të godasin zyrtarë të lartë të institucionit, si edhe biznesmenë të përfshirë në procedurat fituese.

Skyweb.al raportoi më herët se gjatë ditëve të fundit janë thirrur rreth 20 punonjës dhe zyrtarë me role drejtuese në AKSHI, ndërsa sot në ambientet e SPAK është parë të hyjë edhe drejtoresha e institucionit, Mirlinda Karçanaj.

Burime për Skyweb.al bëjnë me dije se Karçanaj dyshohet për “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryesisht në tenderët ku dyshohet se fituesi ka qenë i paracaktuar.

Sipas këtyre burimeve, përfitues kryesor i tenderëve në fjalë ka rezultuar kompania Soft & Solution e Ermal Beqirit, ndërsa po hetohet edhe roli i kompanisë Advanced Business Solution të Gerond Meçes.

SPAK ka konstatuar veprime të dyshimta, pasi kjo kompani ka ankimuar thuajse të gjitha procedurat e tenderëve të mëdhenj të muajve të fundit që ka organizuar AKSHI, për shkak të konfliktit të saj me Soft & Solution, dhe më pas është tërhequr papritur nga të gjitha ankimimet.

Skema, Ermal Beqiri “hinka” e parave të AKSHI, SPAK po heton faturat 

Skyweb.al mëson se në qendër të hetimeve që mund të çojnë në zbulimin e një mega-skandali të tenderëve të AKSHI është kompania Soft & Solution e Ermal Beqirit, e cila dyshohet se është përdorur nga persona që kanë pasur nën kontroll vendimmarrjen e Mirlinda Karçanajt.

Sipas burimeve, pasi tenderët merreshin nga Soft & Solution, kompania angazhonte gjoja për marrje shërbimesh një ose dy kompani të lidhura me personazhet që kontrollonin Karçanajn dhe KVO-në në AKSHI duke pranuar fatura, ndërsa puna në fakt bëhej po nga stafi i Ermal Beqirit.

Kjo bëhej për justifikuar më pas transfertat financiare përmes kontratave të shërbimit.

SPAK po heton pikërisht faturat e shërbimeve të marra nga Soft & Solution, pas dyshimeve se të paktën një kompani në emër të një biznesmeni të njohur ka lëshuar fatura të shumta për shërbime fiktive ndaj kësaj kompanie.

Burime të Skyweb.al bëjnë me dije se SPAK po verifikon edhe një adresë në qendër të Tiranës, që ka shërbyer deri para disa muajsh si zyrë për kompanitë e përfshira.

Në këtë hetim, SPAK po ndjek parimin “ndiq paratë”, me synimin për të zbuluar rolin e Beqirit si person që ka funksionuar si “hinkë” për kanalizimin e parave publike të AKSHI-t drejt xhepave të atyre që dyshohet se kanë organizuar skemën.

Pagesat nga thesari në drejtim të kompanisë Soft&Solution gjatë viteve të fundit. Burimi: OpenDataAlbania

Pagesat nga thesari në drejtim të kompanisë Soft&Solution gjatë viteve të fundit. Burimi: OpenDataAlbania

Përveç Soft & Solution, Ermal Beqiri është gjithashtu pronar i kompanisë Horizon.

Pagesat nga thesari në drejtim të kompanisë HORIZON gjatë viteve të fundit

Pagesat nga thesari në drejtim të kompanisë HORIZON gjatë viteve të fundit. Burimi: OpenDataAlbania

Të dyja kompanitë kanë fituar rreth 40 milionë euro tendera publike gjatë viteve të fundit, ku pjesa dërrmuese vjen nga AKSHI. /skyweb.al


Shtuar 3.12.2025 15:29