Ashtu siç pritej, gushti po bën shumë “nxehtë” në nivele të larta të qeverisjes, pasi SPAK ka nxjerrë nga sirtarët dosje te bujshme duke i vënë “hekurat” personazheve të njohur të pushtetit dhe biznesit, por duket se nuk do të ndalet me kaq. Fundja, gushti nuk ka mbaruar.
SPAK është duke intensifikuar punën në dosje të bujshme, siç ishte kjo e sterilizimit apo inceneratorët, të cilat i kanë kushtuar buxhetit të shtetit qindra miliona euro, ndërsa sëfundmi ka veprime konkrete edhe sa i përket tenderëvë në ushtri si edhe transferimin e pronave të ushtrisë për ndërtim portesh turistike, hotelesh shumëkatëshe apo për qëllime të tjera tregtare të privatëve.
Pak javë më parë, agjentët e BKH-së mësynë në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura duke u sekuestruar celularët një numri të madh ushtarakësh dhe personeli civil të ministrisë, të cilët kanë marrë vendime për tenderët, por edhe për bazat detare.
Zhvatja e bazave detare në Sarandë dhe Porto Romano , si u cënua siguria kombëtare dhe ajo e NATO-s, a do të hetojë SPAK edhe në këtë drejtim?
Objekt i hetimeve të SPAK janë pikërisht baza detare e Limionit, e cila iu dha me koncension një kompanie private Concord Investments si edhe zona e ish-depos së minave detare në Porto Romano, e cila u zaptua pa asnjë vendim dhe leje nga kompania koncensionare Porti MBM. Në lidhje me këtë të fundit ka dy padi penale, njëra në Prokurorinë e Durrësit dhe tjetra në SPAK.
Shkelja është e dukshme në Porto Romano pasi koncenesionari është futur pa asnjë leje në zonën ushtarake duke zaptuar hektarë tokë që i përkasin ushtrisë shqiptare. Në kushte të tjera, kudo në botë, tashmë autorët dhe ata që dhanë leje me heshtje përballë këtyre aventurave, do të ishin pas hekurave, por gjërat bëhen ngadalë në Shqipëri.
Në lidhje me këto dy baza detare, ministrja Olta Xhaçka është paraqitur disa herë në SPAK për të dhënë llogari, për vendimet e marra kur ajo drejtonte Ministrinë e Mbrojtjes. Po ashtu, në SPAK janë paraqitur edhe ish-Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Bardhyl Kollçaku duke dhënë llogari për vendimet e marra bashkë me Xhaçkën dhe oligarkët që kanë futur duart në pronat e ushtrisë pa asnjë “letër”. Thjesht kanë pushtuar…!
Mbetet për t’u parë nëse Kryeministri Rama do të duhet të dalë në ndonjë konferencë për shtyp në ditët apo javët në vijim, për të thënë se një tjetër ministër i tij “ka ngrënë dardha pas shpine..”!