SPAK mësyn në Bashkinë e Peqinit, zbardhen detajet

SPAK ka nisur hetimet për një tender me flamur të kuq, të hapur nga Bashkia e Peqinit më 28 gusht të vitit të kaluar.

Procedimi penal është regjistruar dhe po drejtohet nga prokurori Dritan Prençi, i cili së fundmi ka marrë në pyetje disa zyrtarë të Bashkisë, përfshirë shefen e financës dhe kryeinxhinieren.

Tenderi ka për objekt “Ndërhyrjen emergjente në argjinaturën e Lumit Shkumbin për shmangien e shembjes së rrugës Cengelaj-Shezë, Bashkia Peqin”, me një fond limit prej 49,691,349 lekë, përmes procedurës së hapur.

Një nga pikat që ngjall dyshime është koha tepër e shkurtër për paraqitjen e ofertave, vetëm 20 ditë, me afat deri më 9 shtator 2024, dhe mbajtja e tenderit në të njëjtën ditë.

Në garë ishin tre bashkime operatorësh ekonomikë:

BOE “ASI-2A CO” sh.p.k & “Shendelli” sh.p.k

BOE “LLAZO” sh.p.k & “VIANTE KONSTRUKSION” sh.p.k & “LIS KONSTRUKSION” sh.p.k
BOE “LLUCA” sh.p.k & “T&J Construction” sh.p.k

Fitues u shpall bashkimi i parë, me vlerë 48,179,355 lekë, shumë e afërt me fondin limit. Kjo kompani rezulton të jetë fituese e shumë prokurimeve publike në vend, ndërsa auditimet e Kontrollit të Lartë të Shtetit kanë ngritur shpesh alarmin për favorizime ndaj saj.

Bashkimi i dytë u skualifikua me argumentin e mosplotësimit të kriterit ligjor për marrëveshjen e bashkëpunimit dhe mungesës së pajisjeve dhe stafit teknik të kërkuar. Ndërsa bashkimi i tretë u skualifikua për mungesë liçencash dhe mjeteve të nevojshme për realizimin e kontratës.

Data e shpalljes së fituesit ishte 19 shtatori 2024, vetëm pak ditë pas përfundimit të afatit të aplikimit, dhe kontrata parashikonte një kohëzgjatje prej 45 ditësh.

Tenderi mban firmën e kryebashkiakut të Peqinit, Bukurosh Maçi. Syri TV ka pyetur SPAK-un nëse ndaj tij janë kryer veprime hetimore apo nëse është person nën hetim, por deri më tani nuk është marrë përgjigje zyrtare.

Hetimi i SPAK për këtë tender pritet të hedhë dritë mbi dyshimet për favorizime dhe shkelje të procedurave të prokurimit publik në Bashkinë e Peqinit./ SyriTV

 


Shtuar 24.09.2025 14:43