SPAK merr nën hetim kryetaren e komanduar të Bashkisë Tropojë, Zyra Islamaj

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), ka nisur hetimet ndaj kryetares në detyrë të Bashkisë së Tropojës, Zyra Islamaj, pas denoncimit të transmetuar nga emisioni “Piranjat”.

Përmes një shkrese, SPAK bën me dije se ka nisur hetimet ndaj zonjës Islamaj, në lidhje me ndërtimin e një ure në fshatin Luzhë, të Tropojës. Zonja Islamaj, duke shpërdoruar detyrën vendosi të ushtrojë pozitën e saj dhe të ndërtojë një urë personale për motrën.

 

Rasti u denoncua nga Agim Demiraj, i cili më herët kishte shërbyer në detyrën e Teknikut të Mirëmbajtjes së Rrugëve në Bashkinë Tropojë.

Ky i fundit ishte larguar nga puna, pasi nuk kishte pranuar që të bashkëpunonte me Islamajn, për ndërtimin e urës familjare që do t`i shërbente familjes së motrës.

Madje për ndërtimin e urës, do të kujdesej kunati i saj, burri i motrës. Gjithçka u dokumentua dhe nga një telefefonatë, mes Demirajt dhe ndërtuesit Rrok Gega, i cili kishte fituar dhe tenderin nga Bashkia Tropojë për ndërtimin e urave.

Gega pranon në telefonatë që ura do të ishte dhuratë për motrën e kryetares dhe nuk ishte fare në procedurat e tenderit, pra… një qokë.

SPAK, përmes shkresës drejtuar emisionit “Piranjat”, njofton se ndaj Islamajt është regjistruar një procedim penal, nr 15/2025./ Piranjat


Shtuar 1.02.2025 12:02