SPAK mbyll hetimet, dërgon për gjykim ish-anëtarin e Gjykatës së Lartë, Shkëlzen Selimi

Ditën e sotme Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka përfunduar hetimet për ish-anëtarin e Gjykatës së Lartë, Shkëlzen Selimi.

Ky i fundit është dërguar për gjykim i akuzuar veprën penale “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”.

Njoftimi

“Lidhur me përfundimin e hetimeve për procedimin penal nr.137/2, viti 2021”

Sot me date 31.10.2022 Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar përfundoi hetimet dhe dërgoi në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, kërkesën me objekt:

Gjykimin e procedimit penal nr. 137/2 të vitit 2021, në ngarkim të të pandehurit Shkëlzen Selimi, me funksion ish gjyqtar në Gjykatën e Lartë, akuzuar për veprën penale të “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, kryer në formën e deklarimit të rreme, të parashikuar nga neni 257/a/2 i Kodit Penal”-thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Posaçme./albeu.com


Shtuar 31.10.2022 13:08