Prokuroria e Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK) iu drejtua këtë të martë zyrtarisht Kuvendit me një kërkesë për heqjen e imunitetit dhe hapjen rrugë të arrestimit të Belinda Ballukut, në hetim për 8 procedura tenderuese ne Unazën e Madhe të Tiranës apo Tunelit të Llogarasë. Kjo lëvizje e SPAK i hap gjithashtu rrugën dhënies së masave të sigurisë me të ashpra si “arrest në burg” apo “arrest në shtëpi”.
Po çfarë hapash ndjek Kuvendi në një rast të tillë?
Procedura përcaktohet në nenet 118 dhe 119 të Rregullores së Kuvendit. Kërkesa i paraqitet Kryetarit të Kuvendit nga Prokurori i SPAK, i cili ka për detyrë t’ia përcjellë për shqyrtim Këshillit për Rregulloren, Imunitetin dhe Mandatet. Njëkohësisht vë në dijeni edhe deputetin për të cilin është bërë kërkesa, i cili ka të drejtë të paraqesë në Këshillin e Mandateve parashtrimet e tij.
Brenda dy javëve, Këshilli i Mandateve do të duhet që të hartojë një raport që do ta dërgojë në seancë plenare, përmes të cilit rekomandon rrëzimin ose dhënien e autorizimit për caktimin e masës së sigurisë së arrestit në burg apo shtëpi apo kontrollit personal dhe të banesës.
Më pas Kuvendi, në seancë plenare, vendos me votim të hapur dhënien apo jo të autorizimit. Në rast se Kuvendi nuk merr vendim, brenda tre muajve nga data e paraqitjes së kërkesës, kërkesa konsiderohet e rrëzuar.
Ja çfarë thotë Neni 118 dhe 119 i Rregullores së Kuvendit:
1. Kërkesa dhe dokumentet shoqëruese për dhënien e autorizimit për caktimin e masës së sigurimit të arrestit në burg ose në shtëpi, ose heqjes së lirisë në çfarëdolloj forme, për kontrollin personal ose të banesës i paraqitet Kryetarit të Kuvendit nga prokurori. Kryetari ia dërgon kërkesën dhe dokumentet shoqëruese menjëherë për shqyrtim Këshillit për Rregulloren, Imunitetin dhe Mandatet dhe vë në dijeni deputetin.
2. Deputeti për të cilin kërkohet dhënia e autorizimit lajmërohet për kërkesën e bërë dhe dokumentet që e shoqërojnë atë, si dhe i bëhet e ditur koha në të cilën Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin do të fillojë shqyrtimin e kërkesës. Deputeti ka të drejtë të paraqesë në Këshill, me shkrim ose me gojë, shpjegimet dhe vërejtjet e tij rreth çështjes, të përfaqësohet me mbrojtës ligjor, të drejtojë pyetje dhe të kërkojë sqarime në lidhje me kërkesën, me qëllim të ushtrimit të së drejtës së mbrojtjes.
3. Në përfundim të shqyrtimit, Këshilli brenda 2 javëve harton një raport për në seancë plenare, në të cilin rekomandon rrëzimin ose miratimin e dhënies së autorizimit për caktimin e masës së sigurimit të arrestit në burg ose në shtëpi, ose heqjes së lirisë në çfarëdolloj forme, apo kontrollit personal ose të banesës. Raporti i Këshillit u shpërndahet deputetëve.
4. Shqyrtimi i kërkesës për caktimin e masës së sigurimit të arrestit në burg ose në shtëpi, heqjes së lirisë në çfarëdolloj forme, apo të kontrollit personal ose të banesës së një deputeti vendoset si pikë e parë e rendit të ditës të seancës pasardhëse, pas paraqitjes së raportit të Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin. Në seancë plenare fjala i jepet në fillim deputetit, ndaj të cilit është paraqitur kërkesa, për të dhënë shpjegime ose për t’iu përgjigjur pyetjeve të deputetëve. Raporti i Këshillit nuk është objekt diskutimi. Kuvendi vendos me votim të hapur për dhënien ose mosdhënien e autorizimit për caktimin e masës së sigurimit të arrestit në burg ose në shtëpi, ose heqjes së lirisë në çfarëdolloj forme, apo kontrollit personal ose të banesës ndaj deputetit.
5. Në rastin kur Kuvendi nuk merr vendim për dhënien ose mosdhënien e autorizimit për caktimin e masës së sigurimit të arrestit në burg ose në shtëpi, ose heqjes së lirisë në çfarëdo lloj forme, apo kontrollit personal ose të banesës të një deputeti brenda 3 muajve nga data e paraqitjes së kërkesës përkatëse, atëherë kërkesa konsiderohet e rrëzuar nga Kuvendi.
6. Përcaktimet e bëra në këtë nen zbatohen edhe në rastet e dhënies së autorizimit për caktimin e masës së sigurimit të arrestit në burg ose në shtëpi, ose heqjes së lirisë në çfarëdolloj forme, apo kontrollit personal ose të banesës të anëtarit të Këshillit të Ministrave.
Neni 119
Procedura në rastin kur deputeti është ndaluar ose arrestuar
1. Në rastin kur një deputet është ndaluar ose arrestuar pa autorizim në kryerje e sipër ose menjëherë pas kryerjes së një krimi të rëndë, Prokurori i Përgjithshëm ose Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme vë menjëherë në dijeni Kryetarin e Kuvendit.
2. Kryetari i Kuvendit thërret menjëherë Këshillin për Rregulloren, Imunitetin dhe Mandatet, i paraqet dokumentet e përcjella nga Prokurori i Përgjithshëm ose Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme dhe i kërkon të shqyrtojë çështjen.
3. Këshilli, jo më vonë se 48 orë nga data e vënies në dijeni, kryen procedurat sipas parashikimeve të nenit 73, paragrafët 3 dhe 4, të Kushtetutës dhe zbaton parashikimet e paragrafit 2 të nenit 118 të kësaj Rregulloreje lidhur me të drejtën për një proces të rregullt.
4. Këshilli paraqet raportin për seancën plenare të Kuvendit, e cila thirret nga Kryetari i Kuvendit brenda 48 orëve nga paraqitja e raportit. Vendimi i Kuvendit merret sipas parashikimeve të pikës 4 të nenit 73 të Kushtetutës.


