SPAK kërkon heqjen e imunitetit dhe arrestimin e Belinda Ballukut, Klodiana Lala: Pozita e zëvendëskryeministres është rënduar…

Gazetarja e njohur Klodiana Lala, ka dhënë detaje lidhur me kërkesën e SPAK drejtuar Kuvendit për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut, fillimisht e marrë e pandehur për tunelin e Llogarasë.

Por tani zëvendëskryeministrja, e rikthyer në detyrë përkohësisht nga Gjykata Kushtetuese, përballet me akuza të tjera edhe për procedura të tjera tenderuese.

Zyrtarisht ajo është nën akuzë për shkelje të barazisë në 7 tendera të tjerë.

“Krahas akuzave më herët, janë shtuar edhe disa akuza të tjera për tenderat Sheshi Shqiponja-Lumi i Tiranës, Loti 1 dhe QMT, Sheshi Shqiponja-Bulevardi i Ri, Loti 2, Sheshi Shqiponja-Bulevardi i Ri- Shkozë, Urat mbi lumin Tirana, Ndërtimi i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 4, Loti 5, Loti 6, dhe Loti 7”, tha Lala.

Në total, Balluku akuzohet për 8 tendera bashkë me Tunelin e Llogarasë.

Gjithashtu, gazetarja raportoi se tani kërkesa do të kalojë në Komisionin e Imunitetit dhe Mandateve dhe më pas të votohet në Kuvend për imunitetin e Ballukut.

“Duhet të kalojë në Komisionin e Imunitetit dhe Mandateve dhe të votohet në Kuvend nëse do të hiqet nga funksioni që mban”, tha ajo.

Reagimi i plotë i SPAK:

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, mbështetur në nenet 73, 95 dhe 103 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, nenin 288 të Kodit të Procedurës Penale, si dhe në nenet 13 dhe 118 të Rregullores së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, në kuadër të procedimit penal nr. 136 të vitit 2025, ka paraqitur kërkesë për dhënien e autorizimit nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë për arrestimin/ heqjen e lirisë së deputetit/ministrit/zëvendëskryeministrit:

Belinda Balluku, lindur dhe banuese në Tiranë, e cila ushtron funksionet e deputetit, ministrit dhe zëvendëskryeministrit të Republikës së Shqipërisë.

Kjo shtetase është marrë në cilësinë e të pandehurit në kuadër të procedimit penal nr.136 të vitit 2025, pasi akuzohet për kryerjen e veprës penale:

“Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, e kryer në bashkëpunim, e parashikuar nga nenet 258/2 dhe 25 të Kodit Penal, në lidhje me procedurën e prokurimit me objekt “Ndërtimi i tunelit të Llogarasë”.

Gjithashtu, shtetasja Belinda Balluku ka marrë cilësinë e personit nën hetim për dyshimin e kryerjes së të njëjtës vepër penale për shtatë procedura të tjera prokurimi me objekt:

“Plotësimi, rakordimi dhe vazhdimi i punimeve Sheshi Shqiponja-Lumi i Tiranës, Loti 1 dhe QMT”;

“Ndërtimi i segmentit rrugor Sheshi Shqiponja-Bulevardi i Ri, Loti 2”;

“Ndërtim i segmentit rrugor Sheshi Shqiponja-Bulevardi i Ri- Shkozë, Urat mbi lumin Tirana”;

“Ndërtimi i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 4”;

“Ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 5”;

“Ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 6”;

“Ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 7”.

Kjo kërkesë ka për qëllim marrjen e autorizimit nga Kuvendi për procedimin e mëtejshëm ligjor.


Shtuar 16.12.2025 16:00