SPAK kërkon autorizim për arrestimin e Berishës, zbardhen dy raportet e Këshillit të Mandateve që janë depozituar në Kuvend

Dy ditë pasi Këshilli i Mandateve votoi me 6 vota pro kërkesën e SPAK që kërkon autorizim për arrestimin e Sali Berishës, janë zbardhur edhe dy raportet të hartuara për t’ia dorëzuar seancës plenare, e cila do t’i votojë ditën e nesërme (21 dhjetor).

Njëri prej tyre është raporti i mazhorancës, kurse raporti tjetër është i deputetit Enkelejt Alibeaj, i cili ishte i vetmi përfaqësues i opozitës në Këshillin e Mandateve. Të dy raportet kërkojnë dhënien e autorizimit për ti hapur rrugë kërkesës së SPAK që kërkon heqjen e imunitetit të Sali Berishës.

 

 

“Konkretisht nga hetimi vlerësohet se është krijuar dyshimi i arsyeshëm, i mbështetur në prova se personi nën hetim Sali Berisha, në cilësinë e tij si Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, përgjatë periudhës kohore që shtrihet që nga viti 2005 e në vijim, ka kryer veprime konkrete, aktive, me miratim ligjesh, apo akte nënligjore, me qëllim përshtatjen e tyre sipas nevojave që paraqiteshin për pesë familje ish-pronare, me qëllim kthimin dhe në vijim shfrytëzimin si troje ndërtimore të territoreve ku janë shtrirë ish-Klubi shumësportësh “Partizani” dhe ish-Klubi i Futbollit “Partizani”, ku përfitues i drejtpërdrejte ndër të tjerë rezultonte të ishte bashkëshorti i vajzës së tij, shtetasi Jamarbër Malltezi.

Sipas organit të akuzës, nga ana e shtetasit Sali Berisha janë kryer veprime aktive, në cilësinë si Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, për kryerjen e kontrolleve administrative me qëllim ushtrimin e presionit dhe dhënien e urdhrave konkretë për veprime që duhet të kryenin funksionarët që pengonin përfundimin e procesit të privatizimit, në favor, ndër të tjera, të shtetasit Jamarbër Malltezi, bashkëshorti i vajzës së tij”, thuhet ne raportin e shumicës në Këshillin e Mandateve.

Edhe raporti i Alibeajt kërkon zbatimin e mases se sigurise se Prokurorise se Posaçme, duke rekomanduar miratimin ne seancen plenare.

“Përfundimisht, si anëtar i Këshillit për Imunitetin, i rekomandoj seancës plenare të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë të votojë, për miratimin kërkesës për dhënien e autorizimit, të kërkuar me shkresën nr. 16688 prot., datë 12.12.2023 të SPAK “Për dhënien e autorizimit për arrestimin/heqjen e lirisë, nëpërmjet zëvendësimit të masës së sigurimit”, thuhet në konkluzionet e Alibeajt.

Sipas Alibeajt për Kuvendin është i rëndësishëm fakti që shkelja e detyrimeve ndaj drejtësisë nga ana e Berishës është e provuar.

“Në këto kushte rezulton e provuar fakti se personi nën hetim nuk ka zbatuar detyrimet që rëndonin mbi të, caktuar me vendim gjykate, në mënyrë të përsëritur. KPP, në nenin 231/1 dhe 260/3, ia lë në diskrecion prokurorisë si mundësi të kërkojë ose jo një “masë tjetër më të rëndë” sesa të mëparshmet. Mesa duket qartazi prokuroria ka zgjedhur opsionin që në mungesë të respektimit të masave të mëparshme të kërkojë një masë tjetër më të rëndë. Në këtë pikë përsëri, Kuvendi nuk ka të drejtë të vlerësojë nëse është e vlerësuar drejt apo jo kjo nevojë-mundësi, kjo zgjedhje e prokurorisë. Edhe ky kriter bie nën suazën kontrolluese të juridiksionit gjyqësor. Nëse do ndodhë që Kuvendi do japë autorizimin, do të jetë gjykata ajo që do të vlerësojë nëse ka vend apo jo për një masë më të rëndë bazuar në proporcionalitetin shkelje – rëndim mase. Për Kuvendin është i rëndësishëm fakti, që premisa bazë, ajo e shkeljes së detyrimeve të mëparshme është e provuar. Nëse gjykata do ta gjejë me vend kërkesën, është kompetencë e saj, porse Kuvendi, duhet të mos ndërhyjë në këtë kompetencë gjyqësore me mosdhënien e autorizimit të kërkuar”, thuhet mes të tjerash në raportin e Alibeajt.

Raporti i Enkelejd Alibeajt

Raport i mazhorancës


Shtuar 20.12.2023 23:16