Ditën e sotme, Gjykata Kushtetuese, e cila u mblodh në lidhje me ankimimin e qeverisë ndaj vendimit të Gjykatës së Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, e cila pezulloi Belinda Ballukun nga detyra e zëvendës kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, e pandehur për shkelje të barazisë në tenderin e tunelit të Llogarasë, si edhe nën hetim për një sërë procedurash të tjera tenderuese, nuk mori as sot (3 janar) një vendim mbi rastin.
Sipas raportimeve nga gazetarja Klodiana Lala, mbledhja e Kushtetueses është shtyrë për një afat të pacaktuar.
Kryeministri Edi Rama, ankimoi vendimin e GJKKO për shfuqizimin e masë së pezullimit nga detyra e zv.kryeministres dhe e ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku, ndërkohë Gjykata Kushtetuese rikthehu në detyrë numrin dy të qeverisë.
Gjykata e Posaçme, vendosi që ta pezullonte Ballukun nga detyra dhe të ndalonte udhëtimin jashtë vendit, duke i bllokuar pasaportën, pasi ajo u mor e pandehur për akuzën e shkeljes së barazisë në tendera.
Nga ana tjetër, SPAK i është drejtuar edhe me një kërkesë Kuvendit, ku kërkon heqjen e imunitetit të Ballukut si deputete, dhënien e autorizimit dhe hapjen e rrugës për të dhënë një masë më të ashpër sigurie si ajo e arrestit në shtëpi apo në burg.
Socialistët kanë shtyrë mbledhjen e Këshillit të Mandateve dhe Imunitetit, duke pretenduar se duhet pritur së pari vendimi i Kushtetueses.
Por, opozita argumenton se kërkesa për arrestim nuk ka të bëjë me pezullimin dhe për rrjedhojë pretendimi që përdor maxhoranca nuk qëndron.
Balluku akuzohet se ka manipuluar dy tendera me vlerë 210 milionë euro, së bashku me vartësit e saj më të ngushtë, Evis Berberi, Gentian Gjyli dhe Erald Elezi, duke favorizuar kompanitë fituese, ndërsa akuzave u është shtuar edhe shkelje e barazisë me tendera në Unazën e Madhe.
Belinda Balluku iu bashkua kabinetit të Edi Ramës në vitin 2019 si ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe prej më shumë se pesë vitesh drejton portofolin më të madh qeveritar.
Akuzat me të cilat përballet Balluku:
Ndryshe nga më parë, kur numri dy i qeverisë ishte e pandehur për veprën penale “shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, e kryer në bashkëpunim, në lidhje tenderin për ndërtimin e tunelit të Llogarasë dhe nën hetim për tenderin loti 4 Unaza e Madhe, SPAK njoftoi se po e heton Belinda Ballukun edhe për disa procedura të tjera, çka e rëndon ndjeshëm pozitën e saj përballë drejtësisë. E se i duhet leje për ta arrestuar.
“Shtetasja Belinda Balluku ka marrë cilësinë e personit nën hetim për dyshimin e kryerjes së të njëjtës vepër penale për shtatë procedura të tjera prokurimi me objekt:
“Plotësimi, rakordimi dhe vazhdimi i punimeve Sheshi Shqiponja-Lumi i Tiranës, Loti 1 dhe QMT”;
“Ndërtimi i segmentit rrugor Sheshi Shqiponja-Bulevardi i Ri, Loti 2”;
“Ndërtim i segmentit rrugor Sheshi Shqiponja-Bulevardi i Ri- Shkozë, Urat mbi lumin Tirana”;
“Ndërtimi i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 4”;
“Ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 5”;
“Ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 6”;
“Ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 7”, thuhet në kërkesën e SPAK.
