SPAK kërkon arrestimin e Ballukut, deputetët e PD kërkojnë sot mbledhjen e Këshillit të Mandateve

Pesë anëtarë të Partisë Demokratike të Këshillit të Mandateve, iu drejtuan me shkresë kryetarit të Kuvendit ku kërkojnë mbledhjen sot të Këshillit të Imunitetit për shqyrtimin e kërkesës së SPAK, për arrestimin e zv.kryeministres Belinda Balluku.

Kjo është kërkesa e dytë që i drejtohet kryetarit të Kuvendit. Socialistët kanë deklaruar se shqyrtimi i kërkesës se Prokurorisë së Posaçme, nuk do bëhet para se të shprehet Gjykata Kushtetuese për çështjen e pezullimit të anëtarit të qeverisë.

Demokratët vene theksin te kërkesa e SPAK që çështja të shqyrtohet brenda 5 ditëve, për shkak të rrezikshmërisë së zëvendës kryeministres për të prishur prova apo intimiduar dëshmitarë.

“Duke mbajtur në konsideratë shënimin e Prokurorisë së Posaçme në kërkesë dhe gjatë mbledhjes së datës 19 Dhjetor 2025, ku nënvizohet se znj. Belinda Balluku është konstatuar me metoda speciale hetimi se po intimidon dëshmitarë/prish prova;

Duke mbajtur në konsideratë kërkesën e Prokurorisë së Posaçme që çështja të shqyrtohet nga Këshilli brenda 3-5 ditë nga mbledhja e datës 19 Dhjetor 2025, për shkak të natyrës së ngutshme që ka kërkesa dhe nevojës për moscenimin e hetimeve”, thuhet në kërkesën e demokratëve, duke kërkuar që mbledhja të mbahet më 26 dhjetor.

Mbledhja e kaluar Këshillit të Imunitetit dhe Mandateve u zhvillua më 19 dhjetor, me pjesëmarrjen e 10 deputetëve dhe nën prezencën e 3 prokurorëve të posaçëm, drejtuesit të ri të SPAK Klodian Braho dhe dy prokurorëve të çështjes Dritan Prençi dhe Dorina Bejko.

Diskutimet u rrotulluan rreth USB-së me mbi 10 mijë faqe prova kundër Ballukut e dorëzuar nga SPAK ku argumentohet kërkesa e depozituar. Kjo USB iu shpërnda të gjithë anëtarëve, ndërsa palët nuk ranë dakord për caktimin e një date fikse për mbledhjen e ardhshme pas njohjes me provat.


Shtuar 26.12.2025 09:40