SPAK kërkon arrestimin e Ballukut, Balla tregon qëndrimin e mazhorancës: Kuvendi është palë në Gjykatën Kushtetuese, presim vendimin e saj

Kryetari i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla, përsëriti qëndrimin se derisa Gjykata Kushtetuese të dalë me një vendim për Ballukun, nuk do të mblidhet Këshilli i Mandateve.

Balla deklaroi se Kuvendi është palë në Gjykatën Kushtetuese dhe nuk mund të mbajnë një qëndrim pa folur ky institucion i drejtësisë.

“Po rikujtoj një diskutim që kemi bërë në Këshillin e Mandateve që kam 100% të drejtë. Sa kohë kuvendi është palë në Gjykatën Kushtetuese në këtë çështje duhet të presë vendimin e GJK. Në vlerësimin tim ky është qëndrimi”, tha Balla për çështjen Balluku.

Kujtojme që përfaqësuesit e opozitës akuzojnë kryetarin e Kuvendit, Niko Peleshi se në shkelje të Rregullores së Kuvendit, po i ofron mbrojtje politike zv.kryeministres Belinda Ballukut, duke shtyrë pa afat mbledhjen e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin.

Peleshi shtyu mbledhjen me justifikimin se vendimi i Kuvendit për dhënien e autorizimit Prokurorisë së Posaçme, SPAK, për arrestimin e Ballukut varet nga vendimi që do të marrë Gjykata Kushtetuese për një masë tjetër ndaj saj të dhënë nga Gjykata e Posaçme.


Shtuar 2.02.2026 11:42