SPAK kërkoi heqjen e imunitetit për Sali Berishën, kur mblidhet Këshilli i Mandateve

Ditën e sotme SPAK i kërkoi Kuvendit të Shqipërisë që t’i heqë imunitetit ish-kryeministrit Sali Berisha.

Këshilli i Mandateve do të mblidhet në datën 18 dhjetor 2023 për të shqyrtuar këtë kërkesë.

“Mbledhja e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin për shqyrtimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për dhënien e autorizimit nga Kuvendi për arrestimin/heqjen e lirisë së deputetit Sali Berisha, nëpërmjet zëvendësimit të masës së sigurimit, do të zhvillohet në datën 18.12.2023, ora 12.00, në Kryesinë e Kuvendit”, thuhet në njoftimin e Kuvendit.

Kujtojmë që ndaj ish-kryeminsitrit Sali Berisha SPAK ka ngritur akuzën e korrupsionit pasiv, dhe kërkoi heqjen e pasaportës në mënyrë që të ndalonte daljen e tij jashtë vendit, si dhe paraqitjen e tij të hënën e parë dhe të tretë të çdo muaji para OPGJ-së në GJKKO.

Duke parë kundërshtitë e ish-kryeministrit Sali Berisha, i cili nuk u paraqit asnjëherë para OPGJ-së, Kreu i Prokurorisë së Posaçme (SPAK), Altin Dumani, ju drejtua këtë të martë me një shkresë Kuvendit ku kërkon heqjen e imunitetit.

Në rast se Kuvendi do të vendosë pro heqjes së imunitetit për Sali Berishës, atëherë, SPAK-ut i lind e drejta për të kërkuar arrestin e tij me burg ose masën arrest shtëpie.

Duke marrë parasysh moshën e ish-kryeminsitrit dhe veprën për të cilën akuzohet, me shumë gjasa ndaj tij do të kërkohet masa arrest shtëpie.

Çfarë parashikon rregullorja e Kuvendit për këtë rast?

Pas marrjes së kërkesës nga ana e SPAK Kuvendi thërret Këshillin për RRegulloren e Imunitetit dhe MAndateve, për të marrë një vendim, më pas ky vendim kalon për votim në seancë plenare.

Më pas Prokuroria e Posaçme (SPAK) i drejtohet Gjykatës së Posaçme për zëvëndisim të masës së sigurisë nga ajo detyrtim për paraqitje në arrest në shtëpi apo arrest në burg.

Në rast se GJKKO vendos për ndryshimin e masës ndaj ish-kryeminsitrit Sali Berisha, vendimi i kalon për ekzekutim Policisë së Shtetit.

Heqja e imunitetit bëhet nëpërmjet kufizimit të tij për vepra penale të korrupsionit aktiv dhe pasiv, sipas Kodit Penal, në përputhje me vendimin përkatës të Kuvendit ose nëpërmjet heqjes së tij (autorizim për fillimin e ndjekjes penale), sipas kushteve dhe procedurave në këtë nen për të gjitha veprat penale. Vendimi i Kuvendit për kufizimin e imunitetit është pjesë përbërëse e Rregullores si aneksi 1 isaj.

1.Kërkesa dhe dokumentet shoqëruese për dhënien e autorizimit për fillimin e ndjekjes penale ndaj deputetit i paraqiten Kryetarit të Kuvendit nga Prokurori i Përgjithshëm. Kryetari ia dërgon kërkesën dhe dokumentet shoqëruese menjëherë për shqyrtim Këshillit për Rregulloren, Imunitetin dhe Mandatet dhe vë në dijeni deputetin.

2.Deputeti, për të cilin kërkohet dhënia e autorizimit, lajmërohet për kërkesën e bërë dhe dokumentet që e 38) Shtuar pika 1/1 dhe ndryshuar pikat 1 dhe 4 me vendimin nr. 88, datë 24.2.2011 119 shoqërojnë atë, si dhe i bëhet e ditur koha në të cilën Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin do të fillojë shqyrtimin e kërkesës. Deputeti ka të drejtë të paraqesë në Këshill, me shkrim ose me gojë, shpjegimet dhe vërejtjet e tij rreth çështjes.

3.Në përfundim të shqyrtimit, Këshilli, brenda 4 javëve, harton një raport për në seancë plenare, në të cilin rekomandon rrëzimin ose miratimin e dhënies së autorizimit për fillimin e ndjekjes penale ndaj deputetit. Raporti i Këshillit u shpërndahet deputetëve.

4.Shqyrtimi i kërkesës për dhënien e autorizimit për fillimin e ndjekjes penale ose arrestimin e një deputeti vendoset si pikë e pare e rendit të ditës të seancës pasardhëse, pas paraqitjes së raportit të Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin. Në seancë plenare fjala i jepet në fillim deputetit, ndaj të cilit është paraqitur kërkesa, për të dhënë shpjegime ose për t’iu përgjigjur pyetjeve të deputetëve. Raporti i Këshillit nuk është objekt diskutimi. Kuvendi vendos me votim të fshehtë nëse do të jepet ose do të rrëzohet dhënia e autorizimit për fillimin e ndjekjes penale ndaj deputetit.

5.Procedura e parashikuar në pikat 1, 2, 3 dhe 4 të këtij neni zbatohet edhe në rastin kur kërkohet autorizimi për arrestimin e një deputeti.

6.Në rastin kur Kuvendi nuk merr vendim për dhënien ose mosdhënien e autorizimit për fillimin e ndjekjes penale ose të arrestimit të një deputeti brenda 3 muajve nga data e paraqitjes së kërkesës përkatëse, atëherë kërkesa konsiderohet e rrëzuar nga Kuvendi.

7.Përcaktimet e bëra në këtë nen zbatohen edhe në rastet e dhënies së autorizimit për fillimin e ndjekjes penale ose për dhënien e autorizimit për arrestimin e anëtarit të Këshillit të Ministrave.


Shtuar 12.12.2023 18:40