SPAK i dorëzoi urdhërarrestin, Policia e Shtetit nis kërkimet për Ahmetajn, kontrolle në disa banesa të tij dhe të familjarëve

Ditën e djeshme, SPAK  i dorëzoi policisë urdhërarrestin për ish-zv/kryeministrin Arben Ahmetaj.

Policia e Shtetit deklaron se pasi ka marrë urdhërarrestin, ka nisur kërkimet për arrestimin e tij.

Konkretisht, Drejtoria kundër krimit ekonomik ka nisur kontrollet në disa banesa të Ahmetajt për ta gjetur atë fizikisht.

Kërkime janë bërë edhe në banesat e familjarëve të Ahmetajt. Kërkimet do të vazhdojnë deri sa të krijohet bindja që Ahmetaj nuk ndodhet në territorin shqiptar.

Shpërndarja e urdhër arrestit në strukturat e policisë erdhi pasi Gjykata e shkallës së parë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, miratoi kërkesën e prokurorisë për masën arrest në burg në mungesë për ish-zyrtarin e lartë.

Edhe pse avokatët e Ahmetajt kanë pretenduar se ky i fundit ndodhet në Britaninë e Madhe, strukturat e policisë mësohet se po kërkojnë brenda vendit për ekzekutimin e masës së vendosur në mungesë nga gjykata, sipas procedurës.

Krahas kërkesës drejtuar gjykatës për masën me burg, SPAK mësohet se i kishte kërkuar policisë paraprakisht informacion për vendndodhjen e Arben Ahmetajt, gjë e cila është vënë në dispozicion nga ana e policisë së shtetit.


Shtuar 21.07.2023 11:30