Bisedat në “SKY” mes Dritan Rexhepit dhe Altin Hajrit/ SPAK Hap kodet dhe rregjistron 2 dosje penale

Dy dosje penale të rregjistruara në Prokurorinë e Posaçme (SPAK), kanë vënë në fokus të hetimit linjat e trafikut ndërkombëtar të kokainës të ngritura nga Dritan Rexhepaj, Altin Hajri, Korado Gështenja dhe persona të tjerë.

Një fakt i tillë, doli gjatë një seance gjyqësore, ku avokatët e të pandehurve që akuzohen për rrëmbimin dhe zhdukjen e Jan Prengës në Janar 2020, u përfshinë në një debat gjyqësor me dy përfaqësuesit e akuzës Behar Dibra dhe Elida Kaçkini.

Kjo e fundit, i vuri në dukje avokatëve dhe trupit gjykues, se nuk mund ti vinin në dispozicion të gjitha bisedat e zhvilluara nga kodet e aplikacionit “Sky” që janë përdorur nga Dritan Rexhepi, Altin Hajri dhe Korado Gështenja, pasi në këto biseda ka përbajtje për trafikun e drogës dhe ato po hetohen në 2 dosje të tjera nga kolegët e tyre në SPAK.

“…nuk mund t’ju vemë në dispozicion të gjitha komunikimet veç atyre bisedave që kemi objekt gjykimi në këtë proces të rrëmbimit dhe zhdukjes së Jan Prengës, pasi në këdo tre kode ka biseda dhe për trafik droge, që është një vepër penale që po hetohet…”-tha prokurorja.

Kjo deklaratë e bërë nga prokurorja në sallën e gjyqit, rrishtazi konfirmon rregjistrimin e hetimeve për të zbuluar përmes “Sky” linjat e trafikut të kokainës që ishin ngritur nga Ekuadori në Europë nga Dritan Rexhepi dhe persona të tjerë në zonën e Durrësit, Shijakut dhe jo vetëm.

Gazetari i “Ora News”, Elton Qyno, ka mësuar se njëra nga këto dosje mban numrin 93 dhe rezulton të jetë rregjistruar në vitin 2023 dhe ndodhet në duart e prokurorëve të cilët po punojnë me autoritet e huaja për zbulimin e episodeve të posaçme të trafikut të kokainës.

Ndërsa dosja e dytë është rregjistruar në fillim të vitit 2024, ndaj SPAK ka dërguar disa letërporosi në “Europol” për të tërhequr komunikime shtesë të zhvilluara në “SKY“ dhe letërporosi në disa shtete ku është kapur sasia e kokainës që përkon dhe me kohën e zhvillimit të bisedave.

Goditja e linjave të kokainës të organizuara dhe financuara nga Dritan Rexhepi, mund të sillte në Shqipëri një rast të paprecedentë për këtë individ, pasi hetimet për trafik drogë ndaj Rexhepit ka zhvilluar vetëm Ekuadori, Italia dhe së fundi Belgjika.

Në Shqipëri Rexhepi është ndjekur penalisht dhe dënuar për vrasje dhe falsifikim pasaporte por asnjëherë ska pasur një dosje penale për trafik droge, megjithëse ndërkombëtarisht emri i tij njihet si një figurë e nivelit të lartë të krimit të organizuar dhe trafikut të kokainës.

Rexhepi konsiderohet nga Italianët dhe drejtësitë e disa shtete të tjera në europë si njeriu kryesor, që ka organizuar dhjetëra ngarkesa me kokainë të dërguara në disa porte të Europës.

Sipas një dosje voluminoze të prokurorisë së Firences, që hetoi grupin e drejtuar nga Dritan Rexhepi, ky i fundit kishte disa emra të koduar, me të cilët thirej nga anëtarët e tjerë të kartelit “Kompania Bello” apo siç njihej ndryshe si “Los Blancos”.

Në sy bien “Dhimo”, “Ali”, “Jose”, “Bugatti”.Por emri i koduar që e thërisnin më shpesh bashkëpuntorët e tij, ishte “Jul Çezar”, një etiketim emblematik dhe krahasues me perandorin Romak që dominonte të gjithë perandorinë dhe ushtrinë Romake.

Numri dy i këtij grupi, ishte Ekuadoriani, Montenegro Castillo Cesar Emillio, që njihej me nofkën “Don Monti” dhe drejtuesi i kartelit ekoadorial “Cartel Del Norte del Valle”.

Ndërsa personi i tretë që dominonte grupin dhe ishte njeriu që priste në Hollandë ngarkesat me kokainë të dërguara nga Dritan Rexhepi, ishte pikërisht vlonjati Jorin Llambro ose siç thirej me emrat e koduar “Çeço” dhe “Monte Carlo”.


Shtuar 5.06.2025 09:18