SPAK e prangosi, Rama për Dakon: Do ta kem mik edhe po të shkojë në burg

Ish-kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako u dorëzua mbrëmjen e sotme në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, pas urdhër-arrestit që SPAK kishte lëshuar për të, pasi akuzohet për korrupsion.

Menjëherë pas arrestimit të Dakos ishin të shumta komentet politike, mes tyre edhe kryeministri Edi Rama.

Kreu i qeverisë shqiptare ndodhej në Berat në momentin që u dha lajmi për arrestimin e Dakos, nga ku dhe u shpreh se sot drejtësia po vepron.

Por Rama shprehu dhe një lloj keqardhjeje që dikur bashkëpuntorët e tij më të ngushtë sot janë përballë gjykatës.

Vetë kryeministri i pyetur në një studio televizive pak kohë më parë për arrestimin e ish-bashkëpuntorëve të tij, tha se ndihej i tradhtuar nga ata dhe se e ishin goditur pas shpine.

“Duhet bërë durim edhe në luftën kundër korrupsionit, sepse kemi hyrë në një fazë të re, ku për herë të parë në histori po goditen njerëz të lidhur me pushtetin. Kjo nuk është e lehtë, sepse nuk ndjehesh mirë, kur shikon dikë që deri dje ka qenë krah teje dhe tani është krah prokurorit dhe gjykatësit.

Por edhe kur shikon që mund të përdoret forca  e pushtetin për të bërë gjëra që nuk duhet.

Kurrë s’ka ndodhur më parë. Për këtë ne duhet të jemi krenarë për PS dhe kontributin që japim”, tha sot Rama nga Berati.

Por i pyetur vazhdimisht për marrdhënien e tij me Vangjush Dakon, Rama ndryshe nga sa ka deklaruar për bashkëputorëte  tjerë, për të cilët ka thënë se përgjegjësia është individuale, për ish-kryebashkiakun e Durrësit i ka dalë edhe kundër SHBA-ve.

Në një intervistë të disa kohëve më parë kur u pyte në një emision televiziv pas shpalljes non-grata të Dakos nga SHBA, Rama tha se ish-kryebashkiaku i Durrësit është dhe do të jetë miku i tij edhe sikur të shkojë në burg, dhe se këtë miqësi nuk e përaktonte DASH.

“Vangjush Dako ka qenë, është dhe do të jetë miku im. Nuk e përcakton Departamenti i Shtetit kë kam mik. E përcakton morali dhe bindja ime. Edhe në burg të shkojë nesër do jetë miku im”, do të shprehej Rama në atë kohë.


Shtuar 6.06.2023 20:22