SPAK e mori të pandehur për abuzimin me tenderin 2.3 mln euro/ Apeli i GJKKO rrëzon Jonaid Myzyrin

Ditën e sotme, Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ka lënë në fuqi masën e sigurisë për kreun e pezulluar të Komisionit të Prokurimeve Publike, Jonaid Myzyri.

Vendimi është marrë nga gjyqtarja Igerta Hysi, e cila ka rrëzuar kërkesën e Myzyrit për heqjen e masës “pezullim nga detyra” dhe “detyrim për t’u paraqitur”.

Kësisoj, Myzyri mbetet i pezulluar nga funksioni dhe i detyruar të paraqitet rregullisht pranë autoriteteve ligjzbatuese.

Çështja ndaj Jonaid Myzyrit, lidhet me hetime që po zhvillohen për procedura të dyshuara abuzive në fushën e prokurimeve publike, më konkretisht për tenderin 2.3 mln euro të mirëmbajtjes së rrugës Shpal-Ura e Repsit me gjatësi totale 58.7 km, ku sipas hetimeve ka rezultuar se pas ndërhyrjes së tij tenderi iu dha kompanisë me ofertën më të lartë, bashkimt të operatorëve ekonomikë “AEK Munella – Drini‑1”.

Akuzat e SPAK

Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) mori të pandehur Jonaid Myzyrin, në lidhje me një procedurë tenderuese me vlerë rreth 2.3 milionë euro. Sipas SPAK, tenderi dyshohet se është manipuluar në mënyrë që t’i favorizonte subjekte të caktuara, duke sjellë dëm ekonomik ndaj buxhetit të shtetit. Hetimi ka zbuluar se gjatë procesit të prokurimit janë shkelur disa nga kriteret bazë të ligjit për prokurimin publik, ndërsa dokumentacioni shoqërues i tenderit përmbante të dhëna të falsifikuara ose të manipuluara. Myzyri, në cilësinë e tij si zyrtar përgjegjës, akuzohet për shpërdorim detyre dhe bashkëpunim në paracaktimin e fituesit.

Burime pranë hetimit bëjnë me dije se kompania fituese kishte lidhje të afërta me funksionarë publikë, dhe se çmimi final ishte ndjeshëm më i lartë se vlera reale e tregut për shërbimin e ofruar. Ky rast është një tjetër sinjal për përforcimin e hetimeve të SPAK ndaj abuzimeve me fondet publike, veçanërisht në sektorin e prokurimeve, që prej kohësh mbetet ndër zonat më të prekura nga korrupsioni institucional në vend.

Myzyri ndërhyri për t’i dhënë tenderin “AEK Munella – Drini‑1”

Fituesi i tenderit prej rreth 2.3 milionë euro është bashkimi i operatorëve ekonomikë “AEK Munella – Drini‑1”. Kjo sipërmarrje u shpall fituese për mirëmbajtjen e segmentit rrugor “Rrëshen–Shpal–Ura e Repsit” nga Autoriteti Rrugor Shqiptar në korrik 2020.

Dyshohet se Komisioni i Prokurimit Publik (KPP) i drejtuar nga Jonaid Myzyri ndërhyri duke favorizuar këtë bashkim operatorësh, edhe pse operator të tjerë, si “Alb Shpresa, Mela & Xhast” dhe kompania “Jubica”, kishin ofertuar çmime më të ulëta dhe kishin pikë më të larta sipas autoritetit kontraktor.

Ndër komisionuesit e përfshirë janë 11 persona, përfshirë Myzyrin dhe disa vartës të tij, të akuzuar për “shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera”, “shpërdorim detyre” dhe falsifikim dokumentacioni. Dëmi ekonomik i konstatuar nga SPAK është rreth 500 mijë euro, që përkthehet në afër 47 milionë lekë në buxhetin e shtetit.


Shtuar 28.07.2025 13:40