SPAK dhe BKH aksion në Shkodër, shoqërohen disa persona të dyshuar për krime zgjedhore

Ditën e sotme, Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) dhe Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH), kanë ndërmarrë një tjetër aksion të gjerë, në kuadër të hetimeve për krime zgjedhore, duke u fokusuar në qytetin e Shkodrës.

Sipas burimeve paraprake, në Shkodër janë shoqëruar disa persona që dyshohen për përfshirje në veprime të paligjshme gjatë zgjedhjeve të 11 majit.

Të njëjtat burime sqarojnë se të shoqëruarit janë mbështetës të Partisë Socialdemokrate (PSD). Aksioni është zhvilluar me urdhër të Gjykatës së Posaçme për Korrupsion dhe Krimin e Organizuar (GJKKO), në bashkëpunim me Policinë e Shtetit dhe ka përfshirë kontrolle personale dhe të automjeteve.

Në të njëjtën kohë, veprime të ngjashme janë kryer edhe në Fier, në bashkëpunim me Policinë Vendore, lidhur me një tjetër procedim penal në hetim për veprimtari të dyshuar kriminale në kuadër të procesit zgjedhor.


Shtuar 14.05.2025 14:21