SPAK dërgon për gjykim 6 persona për “korrupsion dhe ndikim të paligjshëm” ndaj zyrtarëve publikë (EMRAT)

Prokuroria e Posaçme SPAK, ka përfunduar hetimet për korrupsion ndaj 6 personave dhe i ka dërguar pranë Gjykatës së Shkallës së Parë.

Sipas burimeve, të akuzuarit janë Musa Gjikola, Klodjan Mucca, Sokol Masha, Erjon Dani, Emiljano Rocci dhe Vilson Rocci.

Vepra penale që rëndon ndaj këtyre personave është “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.

Njoftimi i plotë i SPAK:

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (në vijim Prokuroria e Posaçme) ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë kërkesën për gjykim të procedimit penal nr. 177/1 të vitit 2025, në ngarkim të shtetasve:

1. Musa Gjikola

2. Klodjan Muça

3. Sokol Masha

4. Erjon Dani

5. Emiljano (alias Millan) Roçi

6. Vilson Roçi

Të pandehurit akuzohen për konsumimin e elementëve të veprave penale:

“Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 245/1 dhe neni 25 të Kodit Penal (sipas ndryshimeve të ligjit nr. 144/2013),

-si dhe për të pandehurin Erjon Dani, “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.

Nga hetimet e kryera ka rezultuar se gjatë vitit 2020, të pandehurit janë përfshirë në tre episode të veçanta, ku kanë kërkuar dhe përfituar shuma monetare që varionin nga 4 000 deri në 7 500 euro, me pretendimin se kishin aftësinë për të ushtruar ndikim të paligjshëm ndaj funksionarëve të drejtësisë, me qëllim ndikimin në masa sigurimi personal dhe favorizim në dhënie dënimi ndaj disa të arrestuarve.

Gjithashtu, është provuar se i pandehuri Erjon Dani, në kohën e ngjarjeve me detyrë zëvendësshef komisariati dhe shef për krimet në Komisariatin Nr. 3 Tiranë, ka shpërdoruar detyrën duke shpërndarë tek persona të tretë të dhëna të siguruara nga sistemi TIMS.

Hetimet kanë dokumentuar se të pandehurit kanë bashkëpunuar dhe koordinuar veprimet përmes komunikimeve në platformën e enkriptuar “Sky ECC”, të cilat janë administruar nga autoritetet franceze të drejtësisë në kuadër të ndihmës së ndërsjellë juridike ndërkombëtare.

Ky procedim penal është ndarë nga procedimi penal nr. 177 i vitit 2023, për të cilin vijojnë hetimet ndaj disa personave të tjerë nën hetim, të dyshuar për veprat penale të “trafikimit të lëndëve narkotike”, “ndihmës për kalim të paligjshëm të kufirit” dhe “grupit të strukturuar kriminal”, parashikuara nga nenet 283/a, 298, 333/a, 334/1 dhe 28/4 të Kodit Penal.

Prokuroria e Posaçme shpreh falënderimet e saj për autoritetet franceze, holandeze dhe belge, si dhe për Eurojust dhe Europol, për bashkëpunimin dhe asistencën e dhënë gjatë këtij hetimi.

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.