Ditën e sotme rreth 335 mijë qytetarë, janë thirrur në votime për të zgjedhur kryebashkiakët e rinj në pesë bashki të vendit: Vlorë, Tepelenë, Berat, Cërrik dhe Mat.
Bashkia me numrin më të madh të votuesve është Vlora, me afro 171 mijë zgjedhës, ndërsa më e vogla është Tepelena, me rreth 13 mijë votues.
Në këto zgjedhje, Partia Socialiste, ka kandiduar Brunilda Mersinin në Vlorë, Ervin Cecën në Berat, Gramoz Sakon në Tepelenë, Florenc Dokën në Cërrik dhe Altin Bojnin në Mat.
Opozita e bashkuar nuk ka paraqitur kandidatë politikë, por ka vendosur të mbështesë kandidatë të pavarur.
Në Vlorë, ajo mbështet Dionis Sotën, ndërsa në garë ndodhet edhe Gjergj Nika, anëtar i Këshillit Bashkiak i zgjedhur në listat e Partisë Demokratike në vitin 2023.
Për Bashkinë e Beratit, opozitarët mbështesin Pavlo Shkarpën, në Tepelenë garon Gabriel Guma, ndërsa në Cërrik janë në garë Amarildo Hoxha (i pavarur) dhe Eligert Hima, përfaqësues i “Lëvizja Shqipëria Bëhet”.
Në Mat, konkurrojnë Eduart Brahilika (i pavarur) dhe Suzana Pasha, ish-drejtuesja e Forumit të Gruas në PS.
Për garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë procesit zgjedhor, Policia e Shtetit ka hartuar një plan të detajuar masash.
Mbi 600 efektivë do të jenë në terren përgjatë gjithë ditës, ndërsa janë marrë në ruajtje 473 qendra votimi dhe 9 godina ku ndodhen Komisionet Zonale të Administrimit të Zgjedhjeve (KZAZ), ku do të zhvillohet edhe numërimi i votave.
Kryebashkiakët që do të zgjidhen nga ky proces do të ushtrojnë mandatin e tyre deri në vitin 2027, kur pritet të zhvillohen zgjedhjet e radhës për pushtetin vendor në të gjithë vendin.
