Sot seanca maratonë për buxhetin, nga aksioni i opozitës te skenarët e PS-së, çfarë pritet të ndodhë në Kuvend

Ditën e sotme, Kuvendi do të diskutojë projekt-buxhetin në një seancë parlamentare maratonë mes kaosit.

Opozita ka paralajmëruar se nuk do të lejojnë zhvillimin e asnjë seance normale, pas tensioneve të krijuara gjatë javëve të fundit.

Por, mësohet se maxhoranca ka marrë masa. Vendimi do të merret në bazë të aksionit të opozitës, por skenarët janë tre: buxheti të kalojë në parim pa diskutime.

Në rast se pamundësohet votimi, gjasat janë që seanca të ndërpritet dhe deputetët e maxhorancës të rikthehen të martën për votimin në parim.

Nuk përjashtohet as mundësia e një seance online, me deputetë të grumbulluar në kryesinë e Kuvendit, larg sallës së seancave plenare ku opozitarët do të vënë në jetë planin e tyre.

Në mesin e pikëpyetjeve për seancën e projektbuxhetit është edhe prezenca e kryeministrit Edi Rama, i cili një vit më parë, pati vetë në seancë peshën kryesore të replikave me Partinë Demokratike, në një seancë maratonë që zgjati 12 orë.

Edhe grupi opozitar që nuk mbështet aksionin, ai i PD zyrtare me Lulzim Bashën dhe deputetët e pakët që e mbështesin, e kanë në pikëpyetje prezencën e tyre në sallë.

Ata kanë propozuar 8 amendamente, ndaj prezenca e tyre pritet vetëm nëse do të gjendet hapësira për ta diskutuar buxhetin.

Në seancën e ditës së sotme edhe prezenca e Gardës pritet të jetë më e lartë për të parandaluar përplasjet fizike, ndërsa vigjilenca do të jetë po ashtu e lartë, për të ndaluar futjen e lëndëve piroteknike në sallë.

/albeu.com


Shtuar 20.11.2023 07:45