Sot nisi fushata, Meta fton qytetarët të votojnë: Është forca e vërtet dhe e vetme në demokraci

Sot ka nisur zyrtarisht fushata elektorale për zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 marsit. Përmes një postimi në Facebook, Meta u ka bërë thirrje subjektet garuese dhe kandidatët e tyre për të parashtruar programe konkrete zhvillimi dhe gjithë përfshirjeje në përputhje me kërkesat dhe nevojat e qytetarëve.

Gjithashtu Meta apelon qytetarët të votojnë sepse sipas tij, vota është forca e vetme dhe e vërtet e tyre në demokraci.

Postimi i Metës:

Fushata për zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 marsit në Bashkitë Shkodër, Durrës, Lushnjë, Dibër, Vorë dhe Rrogozhinë, që nis sot, është një mundësi e shkëlqyer për subjektet garuese dhe kandidatët e tyre për të parashtruar programe konkrete zhvillimi dhe gjithëpërfshirjeje në përputhje me kërkesat dhe nevojat e qytetarëve.

Duke theksuar rëndësinë e zgjedhjeve të lira, të drejta dhe të ndershme, të një fushate në mbështetje të Kodit Elektoral, ligjeve dhe Kushtetutës, të drejtë, transparente, larg retorikës, tensioneve dhe fenomeneve të papranueshme që kemi parë në të kaluarën, i inkurajoj të gjithë qytetarët me të drejtë vote, në të gjashta njësitë vendore, të marrin pjesë masive në zgjedhje.

Nuk duhet humbur mundësia për çdo qytetar të tregojë forcën dhe vullnetin e tij për të zgjedhur kandidatin apo kandidaten më të mirë që do të drejtojë bashkinë e tyre në të ardhmen.

VOTA ËSHTË FORCA E VETME DHE E VËRTETË E QYTETARIT NË DEMOKRACI!/albeu.com


Shtuar 19.02.2022 13:41