Sot mblidhet Kuvendi në seancë të jashtëzakonshme, çfarë pritet të votohet

Kuvendi do të mblidhet sot në seancë të jashtëzakonshme për të votuar ndryshimet në qeveri. Socialistët pritet të miratojnë shkarkimin e Arben Ahmetajt si zëvendës kryeministër dhe emërimin e Belinda Ballukut në vend të tij.

Po ashtu, në seancë do të miratohet edhe emërimi i ministres së Shtetit, Majlinda Dhuka, e cila do të jetë kryenegociatore e Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në BE. Seanca do të mbahet në orën 17:00.

Kryeministri Edi Rama bëri ndryshimet në qeveri, sapo presidenti i ri i vendit Bajram Begaj mori detyrën. Ishin këto firmat e para të Begajt si kryetar shteti.

Nga ana tjetër, partia Demokratike kërkoi që ndryshimet në qeveri të mos kalojnë pa debat në Kuvend. Kreu i grupit parlamentar të demokratëve, Enkelejkd Alibeaj depozitoi kërkesën në Kuvend për të zhvilluar debat, por socialistët e rrëzuan.

Kjo ka sjellë reagime të ashpra nga deputetët demokratë. “Qeveria rrëzoi kërkesën e deputetëve demokratë për debat dhe kërkon të ndryshojë ministrat në heshtje të plotë.

Arsyeja është e thjeshtë, Rama s’mund të lejojë të dalë zbuluar para të vërtetave, që largimi i disa ministrave lidhet me faktin se gjenden para arrestimit. Vjedhja e inceneratorëve dhe koncesionet nuk do kalojnë paq siç shpreson Rama!”, shkruan Gështenja.

Po ashtu edhe deputeti Ervin Salianji dënoi vendimin e maxhorancës për të ndaluar debatin lidur e ndryshimet e marra. “Opozitës tentohet ti hiqet e drejta e fjalës që qeverisë ti rritet e drejta e plaçkitjes! Nëse kapen institucionet, sheshet flasin! T’i japim fund makinerisë së plaçkitjes!” shkroi Salianji.