Më 3 prillnis gjykimi ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që akuzohen nga Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli, dhe Jakup Krasniqi, dhe ish-deputeti Rexhep Selimi, janë deklaruar të pafajshëm për katër akuza për krime lufte dhe gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit.
Ish-krerët akuzohen për krime të luftës: arrestim dhe ndalim i paligjshëm, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme. Ndërkaq, krimet kundër njerëzimit që ata akuzohen se kanë kryer janë: përndjekje, burgosje, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.
Krimet dyshohet se janë kryer nga marsi i vitit 1998 deri në shtator 1999, në disa lokacione të Kosovës, por edhe në Kukës dhe Cahan të Shqipërisë.
Hashim Thaçi
Më 5 nëntor 2020, Hashim Thaçi dha dorëheqje nga posti i presidentit të Kosovës, pasi gjykatës i procedurës paraprake pranë Dhomave të Specializuara e njoftoi se e ka konfirmuar aktakuzën ndaj tij dhe tre ish-bashkëluftëtarëve të tij.
“Ashtu, siç kam premtuar, nuk do të lejoj në asnjë rrethanë që para gjyqit të dalë presidenti i Republikës së Kosovës”, tha Thaçi për gazetarët gjatë një konference për media të mbajtur në oborrin e Presidencës së Kosovës.
Po atë ditë, ai u nis drejt Hagës, ku ende po qëndron në qendrën e paraburgimit të Dhomave të Specializuara që njihen edhe si Gjykata Speciale.
Më 9 nëntor, në paraqitjen e parë para Gjykatës Speciale, Thaçi u deklarua i pafajshëm për të gjitha akuzat që rëndojnë ndaj tij.
“Deklarohem i pafajshëm për të gjitha pikat e akuzës”, tha Thaçi, duke e cilësuar aktakuzën ndaj tij si “të paqëndrueshme”.
Në kohën kur Kuvendi i Kosovës votoi për themelimin e Gjykatës Speciale, Thaçi kishte deklaruar se pavarësisht e konsideronte padrejtësi, shteti duhej ta themelonte këtë institucion, që vepron sipas ligjeve të Kosovës.
“Kërkesa e bashkësisë ndërkombëtare ndaj Kosovës për të themeluar një Gjykatë Speciale, që do të trajtojë ndonjë akuzë të mundshme, e cila do të mund të rezultojë nga hetimet e Task Forcës Speciale Hetuese e themeluar nga Bashkimit Evropian, për të adresuar pretendimet e dala nga Raporti i Dick Martyt, është padrejtësia dhe fyerja më e madhe që mund t’i bëhet shtetit të Kosovës dhe shoqërisë kosovare”, kishte deklaruar Thaçi në Kuvendin e Kosovës.
Ish-kryeministri dhe ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, sipas dokumenteve të Gjykatës Speciale, thuhet se në kohën e luftës ka qenë shef i drejtorive politike dhe informimit të UÇK-së, kryekomandant i UÇK-së dhe kryeministër i Qeverisë së Përkohshme të Kosovës.
Specialja e akuzon atë se së bashku me Veselin, Selimin dhe Krasniqin, dhe anëtarë të tjerë të “ndërmarrjes së përbashkët kriminale kanë ndarë qëllimin e njëjtë për të marrë dhe ushtruar kontrollin në gjithë Kosovën me të gjitha mjetet, përfshirë edhe frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e atyre që i konsideronin kundërshtarë”.
Kadri Veseli
Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, më 5 nëntor bëri të ditur se kishte bërë të gjitha aranzhimet e nevojshme që vullnetarisht të udhëtonte drejt Hagës, pasi ishte njoftuar se ka aktakuzë të konfirmuar ndaj tij nga Dhomat e Specializuara.
“E vlerësoj faktin që Dhomat e Specializuara kanë treguar mirësjellje duke më nisur një ftesë për t’u paraqitur në gjykatë, në vend se të më arrestonin në mënyrë të padinjitetshme”, tha Veseli, përmes një deklarate për shtyp.
Ai kërkoi nga qytetarët e Kosovës të tregonin respekt për autoritetet e drejtësisë, pasi theksoi se “ky proces ka për qëllim të arrijë tek e vërteta”.
Më 10 nëntor të vitit 2020, në paraqitjen e parë para Speciales, Veseli u deklarua i pafajshëm për të gjitha akuzat.
“I dëgjova dhe i kam lexuar të gjitha pikat e aktakuzës. Më lejoni të deklarohem me bindje të plotë, se jam tërësisht i pafajshëm në të gjitha pikat e aktakuzës”, deklaroi Veseli.
Veseli në kohën kur iu konfirmua aktakuza udhëhiqte Partinë Demokratike të Kosovës, që aktualisht është subjekti më i madh opozitar në Kosovë. Paraprakisht, ai kishte qenë edhe kryetar i Kuvendit të Kosovës.
Ndërkaq, sa i përket luftës dhe në fillim të pasluftës, sipas dokumenteve të Gjykatës Speciale, Veseli thuhet se ka qenë anëtar i drejtorisë politike të UÇK-së dhe shef i shërbimit të zbulimit të UÇK-së. Po ashtu thuhet se Veseli ka qenë ministër i Shërbimit Informativ në Qeverinë e Përkohshme dhe shef i Shërbimit Informativ të Kosovës.
Jakup Krasniqi
Jakup Krasniqi gjendet në qendrën e paraburgimit në Hagë që nga 4 nëntori i vitit 2020.
Ai u paraqit para Dhomave të Specializuara më 9 nëntor, dhe për dallim nga Thaçi dhe Veseli, përveç se u deklarua i pafajshëm për aktakuzën, ai mbajti edhe një fjalim.
“Unë nuk ndihem fajtor e as përgjegjës për asnjë pikë që thuhet në aktakuzë dhe për asnjë gjë tjetër që thuhet në aktakuzë”, deklaroi ai.
Krasniqi ishte mjaft i ashpër me Specialen, veçmas me togfjalëshin “ndërmarrje e përbashkët kriminale” që përmendet në aktakuzë, që tha se është “fyese” për të, familjen, miqtë dhe të gjithë ata që luftuan më 1998-99 kundër forcave serbe.
“…ishim dhe jemi ndërmarrje e përbashkët çlirimtare dhe shtetformuese”, theksoi ai.
Krasniqi, që ka qenë kryetar i Kuvendit të Kosovës, në kohën e luftës ka qenë zëdhënës i UÇK-së dhe i Qeverisë së Përkohshme, anëtar i drejtorisë politike dhe zëvendëskomandant i UÇK-së, sipas Speciales.
Rexhep Selimi
Aktakuzën për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, Rexhep Selimi e ka cilësuar “të padrejtë” dhe është deklaruar i pafajshëm për të gjitha pikat.
Sikurse Krasniqi, edhe Selimi më 4 nëntor njoftoi se kishte marrë konfirmiminpër aktakuzën dhe ishte nisur drejt Hagës.
“Unë po shkoj me kokën lart dhe kurdo që kthehem, do kthehem po ashtu me kokën lart, sepse isha, jam dhe do të jem ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për të cilën jam i gatshëm të jap gjithçka nga vetja ime”, kishte shkruar ai po atë ditë në llogarinë e tij në Facebook.
Në kohën kur u arrestua, Selimi ishte shef i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje – partisë që aktualisht është në pushtet – subjekt që ka kundërshtuar themelimin e Gjykatës Speciale.
Në paraqitjen e tij para Dhomave të Specializuara, Selimi është shprehur i bindur se procesi gjyqësor do të tregojë se ai dhe UÇK-ja “nuk kemi të bëjmë asgjë me krime e as me ndërmarrje të përbashkët kriminale, siç cilësohemi padrejtësisht në këtë aktakuzë”.
“Unë jam veç një çlimitar që luftën për liri e kam nisur me komandantin legjendar Adem Jasharin dhe e kemi përfunduar me gjeneralin [Wesley] Clark, me NATO-n”, ka deklaruar ai.
Sipas Dhomave të Specializuara, Selimi ka qenë shef i drejtorisë operative të UÇK-së dhe deri në fund të marsit të vitit 1999 ka qenë inspektor i përgjithshëm i kësaj ushtrie. Ndërkaq, në Qeverinë e Përkohshme të Kosovës, ai ka mbajtur postin e ministrit të Rendit Publik.
Çfarë thuhet në aktakuzë?
Pavarësisht se u bë publike më 5 nëntor të vitit 2020, aktakuza ndaj ish-krerëve të UÇK-së ishte konfirmuar më 26 tetor të po atij viti. Dy vjet më vonë, Zyra e Prokurorit të Specializuar ngriti akuza të reja, për të cilat po ashtu Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi u deklaruan të pafajshëm.