Këtë të hënë, do të çelet grupkapitulli i fundit i negociatave, në Konferencën e 7-të Ndërqeveritare Shqipëri- BE, që do të mbahet në Bruksel, i cili shënon hapjen e të gjithë kapitujve të negociatave në një kohë rekord prej 12 muajsh.
“Shqipëria arriti të pamendueshmen , të gjithë kapitujt e negociatave të hapur brenda 12 muajsh – rekord absolut në procesin e integrimeve europiane”, – e vlerësoi këtë moment Kryeministri Rama, i cili do të marrë pjesë të hënën në Konferencën e 7-të Ndërqeveritare, së bashku me Ministren e Shtetit dhe Kryenegociatoren Majlinda Dhuka, Ministren e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin Adea Pirdeni, si dhe pjesëtarë të tjerë të delegacionit shqiptar për të çelur negociatat për Grup-Kapitullin V: “Burimet, Bujqësia dhe Kohezioni”.
Pas përfundimit të punimeve, Kryeministri Rama, Komisionerja për Zgjerimin e BE-së, Marta Kos dhe Ministrja e Punëve të Jashtme të Danimarkës, Marie Bjerre do të mbajnë një Konferencë të përbashkët për shtyp.
Grupkapitulli V, përfshin pesë kapituj thelbësorë për zhvillimin ekonomik dhe social të vendit, me ndikimin më të drejtpërdrejtë tek prodhimi, konkurrueshmëria dhe zhvillimi i balancuar i territorit:
“Bujqësia dhe Zhvillimi Rural” (kapitulli 11);
“Politikat e sigurisë ushqimore, veterinarisë dhe fitosanitare”, (kapitulli 12);
“Peshkimi” (kapitulli 13);
“Politika rajonale dhe koordinimi i instrumentave strukturore” (kapitulli 22), si dhe
“Dispozitat Financiare dhe Buxhetore (kapitulli 33).
Përmes këtij Grupkapitulli, Shqipëria përfiton lidhur me modernizimin e bujqësisë, rritjen e kapaciteteve prodhuese dhe dixhitalizimin e zinxhirit ushqimor.
Një vend të veçantë zë forcimi i mekanizmave të kontrollit të sigurisë ushqimore dhe përafrimi me standardet e BE-së, ndërsa sektori i peshkimit dhe akuakulturës synon të përfitojë nga rregullat dhe programet europiane për menaxhim të qëndrueshëm.
Në komponentin e kohezionit, Shqipëria adreson rritjen e kapaciteteve për menaxhimin e fondeve të BE-së dhe përgatitjen për pjesëmarrje efektive në politikat e zhvillimit rajonal.
Ndërkohë, kapitulli për dispozitat financiare dhe buxhetore përfshin përputhjen me praktikat europiane për transparencë, planifikim buxhetor dhe administrim të fondeve publike.
Hapja e Grup-Kapitullit V, përfaqëson një hap vendimtar drejt afrimit përfundimtar të Shqipërisë me Bashkimin Europian, duke konsoliduar progresin e bërë dhe duke krijuar bazën për reforma më të thelluara në sektorët që mbështesin ekonominë, sigurinë ushqimore dhe zhvillimin e qëndrueshëm të vendit.
