Babanë ia vranë sot, vetë u plagos rëndë! Më 2021 i vendosën tritol në lokal, e shkuara e errët e Gjin Gurit

Dukagjini është tronditur mbrëmjen e sotme pas të shtënave me armë që kanë lënë një të vdekur dhe një të plagosur rëndë.

Albeu.com mëson se viktimë ka mbetur Zef Guri, ndërsa djali i tij Gjin Guri është plagosur rëndë.

Gjin Guri nuk është një emër i panjohur për autoritetet pasi është arrestuar më herët për disa vepra penale.

E shkuara e Gjin Gurit

Më 15 nëntor të vitit 2021 Gjin Gurit i është vendosur një tritol në lokalin e tij në buzë të rrugës që të çon në Malin e Shoshit në Dukagjin.

Nga shpërthimi nuk pati të lënduar, vetëm dëme materiale, ndërsa autorët mbetën të pazbuluar.

Pronari i lokalit që ishte shënjestër e sulmit me lëndë plasëse, shtetasi Gjin Guri, është një person me precedent penal, sepse është dënuar me vendim të formës së prerë me 7 vite burg për armëmbajtje pa leje dhe kanosje.

Ndërkohë, në vitin 2015 Gjin Guri u arrestua sërish nga Policia e Shkodrës dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë në kuadër të operacionit “Bjeshkët”.

Asokohe Gjin Guri ishte një person në kërkim ndërkohë që dyshohej edhe si personi që qëlloi ndaj Policisë në një aksion të efektivëve 6 vite më parë për të mbrojtur parcelat me kanabis në Njësinë Shosh në Dukagjin.

“Gjatë orëve të para të mëngjesit të sotëm Policia e Shkodrës, në bashkëpunim me grupet e FNSHsë Shkodër, mbi bazën e një plani operacional të mirorganizuar bënë të mundur kapjen në banese te personit të shumëkërkuar në fshatin Shosh, Dukagjin, shtetasin Gjin Guri, 38 vjeç”, njoftonte Policia më 27 shtator 2015.


Shtuar 27.09.2023 19:28