Sot GJKKO vendos nëse do të arrestohet, Berisha: Procesi pa asnjë fakt, çdo pushtet në duart e Ramës

Teksa pritet që sot GJKKO të vendosë masën e sigurisë ndaj Berishës, ky i fundit e ka cilësuar procesin ndaj tij pa prova dhe fakt. Në një dalje për mediet, Berisha i tha të rinjve të pranishëm në sallë se Shqipëria nuk është një vend i mallkuar, por sipas tij është i tradhtuar.

Berisha: Shqipëria nuk është një vend i mallkuar, por një vend i tradhtuar. I tradhtuar në themelet e lirive dhe të drejtave të tyre. I tradhtuar në ato parime, pa të cilat vendi nuk është më i yti. Pa të cilat, ti detyrohesh të kërkosh një strehë tjetër. Dhe kjo ndodh sot. Në aparencë, Shqipëria është një vend i lirë, por kjo është absolutisht një liri e rremë. Kjo është një liri e rremë. Shqipëria nuk është një vend i lirë. Shqipëria sot, njëlloj si në diktaturën komuniste, ka të gjitha të pushtetet e saj në dorën e një njeriu. Pa përjashtim. Sot Edi Rama ka në mënyrë absolute, në mënyrën më të verbër, çdo pushtet.

Ju jeni dëshmitarë, ndoshta keni ndjekur procesin e tij ndaj meje. Një proces pa asnjë fakt, pa asnjë dokument, pa asnjë firmë të Sali Berishës në privatizimin e një kompleksi me qindra pronarë, njëri prej të cilëve ishte dhëndri im, Jamarbër Malltezi. Asnjë firmë. Një proces i filluar në vitin 1995, i përfunduar në vitin 2009 në përputhje me të gjitha ligjet e vendit.

Në këtë proces ka diçka shumë të veçantë, ky që ka marrë tokën e tij dhe është një i 500 mijti pronar që ka marrë trojet dhe ka marrë 400 metra nga 1 miliard e 577 milionë e 400 mijë metër katrorë tokë që qeveria, në përputhje me programin e saj, ua dorëzoi pronarëve legjitimë. Ky vihet në gjendje arresti.

Vetë Edi Rama, me firmën e tij, me 4 vendime qeverie, merr nga toka e kësaj familje, të cilët fisnikërisht e kishin dhuruar për shkollë komuniteti, 1500 metër katrorë tokë. Po si i merr? Me 4 firma. Ky që mori 400 metra nuk ka asnjë firmë të Sali Berishës. Kurse ky tjetri, për të marrë 1500 metra, vendos 4 firma njëra pas tjetrës, dhe burgos këtë, njëlloj siç burgosën në vitin 1946, paraardhësit e tij.


Shtuar 26.12.2023 11:34